08/08/2022

Temat që vijnë përmes diskutimeve në “DokuTalks” vazhdojnë të prekin një spektër të gjerë çështjesh aktuale. Këtë pasdite në oborrin e shtëpisë “Shani Efendi” ishin të pranishëm: Dimiter Gantchev, Erkin Yilmaz, Ioannis Kikkis dhe Sophie Valais, përfaqësues të industrive të ndryshme të cilat prekin apo preken nga çështja e të drejtës së autorit. 
Panelistët diskutuan rreth të drejtës së autorit si një temë aktuale që lidhet ndjeshëm edhe me industrinë kinematografike në Kosovë dhe mbarë botën. Ky panel diskutimi që u mbajt në bashkëpunim me Zyren e BE-së në Kosovë në kuadër të një projekti të këtij të fundit me në qendër këtë çështje pati si qëllim të njihte të pranishmit me konceptin e të drejtës së autorit dhe rëndësinë e kësaj të drejte.
Fillimisht ishte Dimiter Gantchev, që në diskutimin e tij vuri theksin tek rëndësia e të drejtës së autorit. 
“Ne jemi në një festival filmi një ndër format më shprehëse të kreativitetit. Por kur flasim për kreativitetin është gjithmonë e vështirë ta definojmë duke qenë se kemi të bëjmë me diçka shumë subjektive. Këtu hyn në lojë koncepti i pronës intelektuale. Monetarizimi i kreativitetit sjell një dobi shumë të madhe për shtetin pasi kreativiteti sjell të ardhura. Në rastet kur një artist nuk do të përfitojë të ardhura nga kreativiteti atëherë kjo është diçka tjetër, por nëse do të bëjë para dhe të jetojë me të, këtu të bëhet e nevojshme prona intelektuale. Natyrisht shoqëritë kanë qenë kreative edhe përpara se të ekzistonte koncepti i pronës intelektuale, por tashmë na duhet të shohim çfarë ka ndryshuar. Është shumë e thjeshtë të shpjegojmë rëndësinë ekonomike të të drejtës së autorit. Nëse ti ke nevojë të shesësh produktin tënd artistik duhet të dish se duhet dhe të njihesh si pronar saj për të hyrë në treg. Gjithashtu të njohësh rregullat e tregut. E drejta e autorit të pozicionon në treg, ndaj është aq e rëndësishme.” 
Ndërsa në fjalën e saj Sophie Valais konkretizoi konceptin e të drejtës së autorit në kinematografi.
“Siç kemi diskutuar industria kinematografike ka një rëndësi shumë të madhe për një shoqëri në aspektin ekonomik. Përpara se të kalojmë këtu kemi një artist i cili fillimisht ka një ide të cilën duhet ta kalojë në një histori dhe më pas ta bëjë film. Sot teknologjia është digjitale dhe kjo i ndryshon patjetër gjërat dhe e bën procesin e menaxhimit më kompleks. Ajo që duam të sjellim në vëmendje është që krijuesit të njohin veprat e tyre dhe të dinë të sillen në raport me veprat e tyre për të shmangur kështu edhe rreziqet që këtyre veprave u kanosen.”
Debati i kësaj të hëne pati interes nga një target grup specifik pjesëmarrësish të cilët nuk hezituan të diskutonin me panelistët rreth rasteve të veçanta që lidhen me tematikën e të drejtës së autorit. Të dyja palët shkëmbyen njohuri dhe eksperienca duke e bërë këtë diskutim mjaft frytdhënës.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Gerd Waliszewski