04/08/2022

Kur thua DokuFest në mendje të vjen menjëherë Prizreni, ndërsa kur thua Prizren mendja të shkon me doemos tek DokuFest. Për qytetin këto ditë janë më të bukurat e tij, pasi pret mysafirë nga e gjithë bota. Këta mysafirë përpos aktiviteteve të festivalit kanë mundësinë të shijojnë mikpritjen, traditat, ushqimin dhe të marrin me vete kur të kthehen një copëz nga shpirti prizrenas. 
Shpirti i një qyteti janë njerëzit, pikërisht ata që tashmë kanë hapur dyert e shtëpive të tyre për të pritur miq nga anë e mbanë globit. 
Për Agnesa Çipën që për të 8 vit radhazi ka hapur dyert e shtëpisë së saj duke mikpritur mysafirët e DokuFest kjo ngjarje është natyrisht tejet e veçantë. 
“Kosova nuk e ka mundësinë të shëtisë botën, por përmes DokuFest botën ka mundësinë që një herë në vit ta presë në shtëpinë e saj. Është një kënaqësi e madhe të kontribuosh në një ngjarje kaq të rëndësishme.”
Energjia e DokuFest ndihet sidomos tek të rinjtë. Në tavolinat e tyre flitet vetëm për aktivitetet, muzikën, filmat e këtij edicioni, si një ngjarje të cilën kanë tashmë kohë që e presin me padurim. 
“Sa bukur bëhet, sa shumë njerëz, DokuNights janë të preferuarat e mia. Kjo është koha më e mirë në Prizren”, tregon Redon Doçi, një djalosh që çdo ditë pret dhe përcjell mysafirë në lokalin ku punon.
Në bisedat me qytetarët që tashmë prej 21 vitesh jetojnë këtë përvojë, vërehet një dashuri e madhe për eventin që një herë në vit e bën Prizrenin, kërthizën e botës.
“Qyteti është më i gjallë këto ditë, ka njerëz të rinj, më shumë vizitorë”, tregon Dardani, një djalë i ri nga Prizreni.
“Vite të tjera nuk kam qenë këtu, por këtë vit mezi po pres ta shoh, pasi të gjithë më kanë treguar që bëhet bukur”, thotë Vjosa që shërben në një prej kafeterive të qytetit. 
Për ata që ndodhen në prapaskenë, natyrisht, këto përgatitje përkthehen në orë të panumërta intensive pune dhe këtë na e tregon më së miri Vigan Bytyçi, kreu i logjistikës së DokuFest. 
“U bënë disa ditë tashmë, që në shtëpi bashkë me ekipin e logjistikës kemi shkuar shumë pak. Kemi punuar deri vonë, duhen kryer detajet e fundit dhe përgjegjësia është e jona, e të gjithë ekipit i cili për mua është më i miri në botë”, rrëfen Vigani. 
Ndërsa për dikë që vjen për herë të parë në qytet dhe ende pret nisjen e festivalit, këto biseda, tregime, përshkrime dhe përgatitje kaq të ndjera janë asgjë tjetër veçse një arsye më shumë për të rritur padurimin. Edhe fare pak orë, DokuFest është gati…

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Gerd Waliszewski