05/08/2022

Mbijetesa është një instikt bazik, të cilin sot ndoshta më shumë se asnjëherë tjetër botës i duhet ta përforcojë. Në këtë edicion të 21-të të DokuFest “Si të mbijetojmë?” është pyetja që jo pa qëllim ngrihet, për të reflektuar e nxitur sadopak procesin e katarsis tek cilido individ. 
Të përpiqet të pastrojë vet, ato plagë që vet i ka krijuar. 
Nga ngrohja globale, fashizmi, dhuna e shfarosja dhe një sërë tematikash të tjera si fenomene të cilat ndoshta pa qëllim shoqëria njerëzore i krijoi, e që tani po i rikthehen në formën e një boomerang-u. 
Përmes filmave dhe diskutimeve të DokuTalks publiku do të ketë mundësinë që i gjithi së bashku, me shumë gjasë jo të zgjidhë, por të reflektojë e të përpiqet ta ndjejë këtë botë të tijën më shumë se kurrë. Të ngacmojë është aktiviteti i preferuar i DokuFest, mendjen e cilitdo që me ose pa qëllim vendos ta ndjekë, e për këtë, ekipi i festivalit ka jo pak kohë që vret mendjen. 
Pjesa vizuale e këtij edicioni të DokuFest të ngacmon për nga ngjyrat e ngrohta, e jo pak të dallueshme nëpër rrugicat e qytetit, apo kudo që hedh sytë dhe i sheh. Duket sikur të ftojnë në bisedë me atë çka syri sheh dhe mendja lexon.
Ekipi i DokuFest punoi së bashku me një kompani dinamike nga Tirana, për të arritur në disa aspekte vizuale të asaj se si do të mund të vizualizohet diçka që nuk është aq lehtë për t’u vizualizuar. 
“Nuk deshëm kafshë të ngordhura apo imazhe të ngjashme, kështu që vendosëm se do të kemi një identitet vizual i cili është përdorur në vite me radhë. Në përfundim të shumë bisedave në një moment ju rikthyem diellit. Në poster është një diell i madh, ne na pëlqente dielli si burim i energjisë, por tani atë mund ta lexosh edhe si burim të problemeve, si një trup me fuqi të jashtëzakonshme dhe që ne nuk dimë ta përdorim. 
Po të shohësh teknikën e përdorur në poster kemi të bëjmë me aparatin që regjistron nxehtësinë, si një farë ndërlidhjeje midis posterit qendror “Diellit” dhe elementeve të tjera vizuale, që është nxehtësia’’,  tregon Veton Nurkollari, drejtor artistik i festivalit. 
Nxehtësia është një element kyç se si është trajtuar pjesa vizuale, dhe mbi të janë sloganet të cilat të ftojnë të mendosh për shumë aspekte të tjera të mbijetesës. Sloganet janë shumë, mirëpo në materialet e shtypura janë përdorur vetëm 4. Njëra që është qendrore “How to survive?” të cilës mund t’i shtosh shumë tematika. Të tjerat janë dhuna, fashizmi dhe zhdukja. Njëra të çon te tjetra, nëse dhunën nuk e ndal ajo mund të rritet dhe të çon te fashizmi, nëse fashizmin nuk e ndal ai rritet e të çon te shfarosja.
Në një kohë kur fenomene të kësaj natyre i kanosen kaq egër shoqërisë tonë dhe mëmës Tokë, detyra është e gjithsecilit, të reflektojë e të bëjë pjesën e tij. Qëllimi i DokuFest është që përmes pyetjes “Si të mbijetojmë?” të nxisë mendimin, veprimin sot te secili që veten dëshiron ta quajë nesër të mbijetuar...

Nga Ana Haxhimali dhe Pediona Dautaj

Fotografia: Elmedina Arapi