12/08/2022

Shtëpia e “Shani Efendi” prej ditësh tashmë ka hapur dyert e saj për një sërë ekspozitash të cilat i ofrojnë vizitorëve opsione të tjera dhe natyrisht shumë informacion lidhur me tematika herë-herë të panjohura për ta. Pasditen e të mërkurës një ekspozitë e veçantë u çel në një prej hapësirave të kësaj shtëpie. Fjala është për ekspozitën “How do I see you”, një projekt i mbështetur nga Bashkimi Europian dhe i vënë në zbatim nga DokuFest në Kosovë dhe Free Zone dhe Foundation Fund B92. 
Të rinj nga Kosova dhe Serbia kanë ndarë për disa ditë të njëjtën hapësirë përmes një kampi të mbajtur vitin e shkuar ku kanë mësuar më shumë rreth historisë së dy vendeve dhe natyrisht kanë marrë dhe dhënë eksperienca me njëri-tjetrin. Ato çfarë këta të rinj kanë dëgjuar për të kaluarën nga prindërit apo gjyshërit e tyre është vënë përballë asaj që ata kanë dëgjuar nga personi përballë, duke marrë kështu një perspektivë tjetër të të mësuarit. I gjithë qëllimi ka qenë që këta të rinj të mos e urrejnë kurrsesi njëri- tjetrin, por të ndërtojnë ura komunikimi dhe të zhbëjnë gjykimet e më tej edhe urrejtjen e mbartur ose imponuar. 
Zana Arapi Xheladini, e cila e ka ndjekur këtë projekt që në fazën e tij embrionale për DokuFest dhe deri në çeljen e ekspozitës për ta prezantuar atë denjësisht tek të pranishmit ka treguar disa detaje më tepër rreth kësaj ekspozite, e cila konsiston në materiale video, ku të rinjtë nga dy vendet të ndarë në çifte intervistojnë njëri-tjetrin. 
“Qëllimi i projektit është ti sjellë bashkë të rinjtë nga Serbia dhe Kosova, nga mosha 18 deri 25 vjeç kundër narracionit të ashpër mediatik duke besuar që përmes artit dhe kulturës mund të munden të gjitha. Intervistat e këtyre të rinjve janë kuruar në një ekspozitë digjitale që zgjat rreth 20 minuta. Ata kanë folur në gjuhën e vet amtare ndërsa përkthimet janë bërë në gjuhën angleze. Iniciativa primare e projektit ka qenë të mos ishte vetëm me të rinj të Kosovës dhe Serbisë por të gjithë rajonit, ama limitimi buxhetor ka sjellë që të zhvillohej projekti vetëm mes këtyre dy vendeve. Në vijim urojmë që me mundësimin e këtyre fondeve të ketë një vijueshmëri dhe një shtrirje më të gjerë projekti”.
Ekspozita pati një interes të veçantë nga vizitorët të cilët e ndoqën që në çastet e para të hapjes së saj.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Suer Celina