05/08/2022

Dashuria është e gjallë, tunduese, e zjarrtë. Fare mirë mund të paralelizohej me një vullkan, që zien e zien llavën e tij e që në një moment mund të shpërthejë. 
“Fire of Love” është filmi që hap maratonën e filmave të këtij edicioni të DokuFest. Një produksion Kanadezo- Amerikan i sapodalë nga furra që mban emrin e regjisores së mirënjohur Sara Dosa. 
Historia e Katia dhe Maurice Krafft, çiftit francez të shkencëtarëve që jetën e tyre e kaluan të rrethuar nga llava e dashurisë së tyre, për njëri- tjetrin dhe vullkanet. Përmes skenarit të Miranda July zbulohet raporti kaq intim i dy personazheve me personazhin kryesor “vullkanin”. Një histori dashurie që shpëtoi jetë, duke marrë jetën dy heronjve. 
Të gjithë imazhet që vijnë të fiksuar përmes objektivit të çiftit Krafft, e shëtisin publikun në këtë dinamikë përvëluese, që bën bashkë batutat, dashurinë dhe kureshtjen si emëruesin e përbashkët.
Drejtori artistik i DokuFest, Veton Nurkollari rrëfen të gjitha arsyet pse zgjodhi pikërisht “Fire of Love” si filmin që do të hapë këtë edicion të festivalit. 
“Është një film i jashtëzakonshëm. Një tregim dashurie të dy njerëzve të jashtëzakonshëm, të çuditshëm, shkencëtarë, të apasionuar ndaj diçkaje të çuditshme, vullkanit. Po ashtu diçka tjetër e pazakontë është fakti që materialet filmike nuk janë xhiruar tani, kemi të bëjmë me vitet 70. Këto copëza filmike që janë përdorur për ta krijuar filmin janë në fakt materiale të xhiruara nga çifti i bashkëshortëve Krafft. Bëhet fjalë për momente interesante, të rralla, herë- herë edhe spektakolare nga udhëtimet e tyre të shumta anë e mbanë globit në ndjekje të vatrave të vullkaneve, deri në momentin e fundit të jetës së tyre”. 
Filmi ka filluar të bëjë xhiron e kinemave botërore në fillim të muajit të kaluar, dhe kaq shpejt publiku ka mundësinë ta ndjekë në DokuFest.
“Filmi sapo ka dalë në kinema. Jo shumë filma të zhanrit dokumentar ja dalin të shfaqen në kinema dhe unë jam i bindur se kemi të bëjmë me një moment të rëndësishëm, për një film, sipas meje të madh. Për një film, për të cilin jam gati i bindur se do të flitet tani e deri në muajin mars kur do të jepen çmimet “Oscars”. Kemi të bëjmë me një ndër filmat më të rëndësishëm që kanë dalë në fillim të këtij viti e që premierën botërore e pati në Los Angelos. E përsëris, jo shumë filma dokumentarë ja dalin të shfaqen në kinema. Është një moment i jashtëzakonshëm, për publikun shqiptar por jo vetëm, që të shohë një film kaq të jashtëzakonshëm në DokuFest,” vijon Nurkollari që ka privilegjin dhe përgjegjësinë e përzgjedhjes së filmit, shfaqja e të cilit do t’i hapë udhën shfaqjes së një morie produksionesh të tjera kinematografike. 
“Fire of Love” është një histori dashurie, mbijetese dhe vetëflijimi, një histori që ju pret ta zbuloni,  këtë të premte menjëherë pas ceremonisë së hapjes së edicionit të 21-të në “Lumbardhi Bahçe”.

Nga Ana Haxhimali