10/08/2020

COUP ‘53 (2019) është një film-kërkim i së vërtetës në lidhje me grushtshtetin e inskenuar anglo-amerikan në 1953 në Iran, i cili çoi në heqjen nga pushteti të kryeministrit të parë demokratik të kohës, Mohammad Mossadegh. Me pasoja ende të dukshme në klimën aktuale politike, filmi debutues me metrazh të gjatë i regjisorit Taghi Amirani fillon si një projekt rreth kërkimit mbi historinë, duke u përqendruar në implikimet pak të njohura të qeverisë britanike lidhur me ngjarjen historike në fjalë. Nga kjo pikë fillestare, narracioni gradualisht rrëshqet në një hetim të mirëfilltë kinematografik duke kombinuar filmin dokumentar me arkivat dhe pamjet 16 mm të fshehura më parë, së bashku me trillimin si një mënyrë për të rikrijuar materialet munguese dhe sigurisht të animacionit i cili portretizon kujtimet e mjegullta të rrjedhjes së ngjarjeve.

Para së gjithash, COUP ‘53 është i arritshëm për kureshtarët e zakonshëm, si dhe për audiencën jo aq të informuar, sepse arrin të shndërrojë informacione të bollshme në një përmbajtje të qartë dhe kuptueshme. Edhe pa njohuri ose ndjeshmëri paraprake, shikuesi papritur implikohet në punën kërkimore të ekipit krijues, duke i dhënë atij një rol aktiv në film si një mënyrë për të ndjerë, kuptuar dhe menduar më mirë.

Më shumë se një leksion i përpiktë për çështjet e diplomacisë dhe politikave të jashtme, COUP ‘53 është një film në lidhje me hendekun e disbalancuar që ndan qëllimet nga veprimet, i ngacmuar sidomos nga vlerat relative të së drejtës dhe së gabuarës, së mirës dhe së keqes, dritës dhe errësirës. Kujtimet e kthjellëta të dëshmitarëve të moshuar për ngjarjet që kanë përjetuar fëmijë, tregojnë se bëhet fjalë për një film i cili ka më përzemër kujtesën sesa narrativet historike të mirëpërcaktuara. Në mënyrë të padiskutueshme, kujtimet provokohen vazhdimisht nga supozimet e pafundme të ”çfarë mund të ishte bërë”, sepse “dhimbja e popullit iranian mund të ndiqet pas në kohë që prej vitit 1953” dhe për shkak se “trashëgimia e kësaj ngjarje historike i ka dhënë formë dhe politikës së tanishme”.

Prandaj, filmi në fjalë është gjithashtu një ndërthurje e së kaluarës dhe së tashmes, duke krijuar kështu lidhje kohore që mund të jenë çliruese ose dënuese. Me një qasje të ndjeshme ndaj nuancave të kombit ndërthurur me pikëpyetjet njerëzore të drejtësisë dhe dhimbjes, filmi paraqitet si një ftesë për të reflektuar, për të bërë pyetje, për të mos i zënë besë paraqitjeve. Mbi të gjitha, është një gosti për të pasionuarit pas të vërtetës, dhe për këtë arsye mund ta gjeni si pjesë e kategorisë Truth, i disponueshëm për shikim përpara datës 15 gushtit në platformën online të DokuFest.

Nga Enxhi Noni