18/08/2020

Me mbështetjen e Misionit të OSBE-së në Kosovë, DokuTalk i 17 gushtit u përqendrua në gjendjen kritike të mediave në Ballkan, diskutim i cili u shndërrua në një analizë të thelluar të gazetarisë hulumtuese, sfidave dhe kërcënimeve të saj, si dhe dinamika që ekziston mes medias, publikut dhe organeve të tjera shoqërore. DokuFest pati kënaqësinë të mirëpresë Petrit Sarachini i cili gjithashtu moderoi panelin, Marija Ristić, Saranda Ramaj, Milan Antonijević, dhe Lindita Tahiri.

Tema e diskutimit, e motivuar nga situata aktuale globale, më shumë se kurrë ka dëshmuar marrëdhëniet e ndërlikuara që ekzistojnë midis informacionit dhe mediave sociale. Duke u nisur nga rëndësia e marrjes së informacionit të saktë, shqetësimi kryesor i Petrit Sarachini është që gazetaria
e pavarur të rrisë ndikimin e punës së saj duke i shërbyer kështu në mënyrë të duhur opinionit publik, kundër përmbajtjes artificiale të prodhuar nga media propagandistike që përdoret për të shtrembëruar të vërtetën dhe për të shërbyer interesa specifike të pushtetit. Sarachini saktësisht adresoi problemin e klientelizmit në media si një nga faktorët kryesorë të modifikimit të peizazhit mediatik, i cili ndër të tjera vështirëson mbijetesën e profesionistëve. Duke e ditur që kjo situatë i lë vend propagandës për të përfituar, kultura e pandëshkueshmërisë gradualisht krijon rrënjë nga kjo luftë e gjymtuar për anti-korrupsion dhe drejtësi shoqërore.

Duke vënë në dukje fenomenin e polarizimit shoqëror, Petrit Sarachini drejton vëmendjen e panelit drejt këmbimit të roleve midis profesionistëve të fushës, dhe atyre që thjesht duan të nxehin diskutimet e ditës, pa u interesuar për kontrollimin e fakteve dhe filtrat e shkrimit, përfshirë të shkruarin mirë dhe me gramatikë të saktë. Në këndvështrimin e Sarachinit, ekzistojnë disa hapa që, nëse ndiqen, mund të kenë rezultate të kënaqshme: pas përmirësimit të sistemit arsimor, duhet të ndërtohet një rrjet solidariteti midis gazetarëve dhe redaksive, më pas krijimi i aleancave me organizatat e shoqërisë civile dhe dënimin e vazhdueshëm të politikës aktuale, kulturës së pandëshkueshmërisë, si dhe të punës së institucioneve dhe organeve publike.
Për Marija Ristić, para së gjithash, ekziston një mjedis armiqësor në Ballkan, jo vetëm për mediat e pavarura, por edhe për mendimin kritik. Sipas saj, përkundër pengesave dhe zhgënjimeve që vijnë me të, media sociale është hapësira e vetme e lirë për gazetarinë hulumtuese. Kjo kushtëzohet nga vështirësia për të pasur në zotërim burimet e nevojshme e cila rritet çdo ditë e më shumë, ndërkohë që në të njëjtën kohë po punohet për të krijuar mosbesim në media (në Serbi, gazetarët po quhen “tradhtarë” dhe “spiunë”). Sidoqoftë, ndikimi i punës hetimore të një personi nuk varet vetëm nga media, hapi tjetër duhet të merret nga autoritetet përkatëse (siç është ndjekja penale ose kontrolli nga policia, në varësi të rastit). Shteti i së drejtës, thotë Ristiq, jo gazetaria, është në krizë. Në Ballkanin Perëndimor, botimi i artikujve nga gazetarët hetues shkakton tension më shumë sesa ndërmarrjen e veprimeve aktive (sjellja është e kundërt në Europën Perëndimore, për shembull), duke e bërë kështu të vështirë edhe të flitet për ndikimin e medias. Një dalje e mundshme nga kjo situatë do të ishte që gazetarët të rimendojnë atë çfarë konsiderohet si ndikim, dhe gjithashtu të përqendrohen në audiencën kryesore dhe si ta arrijnë atë audiencë. Ekziston një nevojë urgjente për t’u rikthyer tek komuniteti, për të krijuar lidhje me të “offline”, me qëllimin e vetëm që të shkohet përpara. Për Milan Antonijević, media sociale, sado e sigurt të jetë, nuk ndihmon në dëshirën për të arritur më shumë audiencë sesa ajo momentale. Kështu, Milan riafirmon që ekziston nevoja për t’u zgjeruar në komunitetet offline ndërsa njëkohësisht duhet të punohet për të rifituar besimin e audiencës, si dhe duhet insistuar në personat përgjegjës për situatat e vështira (shteti, aparati i sigurisë). Rezultati i këtij diskutimi, thotë ai, duhet të jetë sesi të drejtohet puna në mënyrë që gazetarët të mund të mbështesin njëri-tjetrin; dhe gjithashtu të krijohet besimi në pjesët e tjera të shoqërisë, siç janë organizatat e shoqërisë civile, duke ditur që synimet e punës së të dy palëve janë të ngjashme.
Lindita Tahiri ka gjithnjë një këshillë për t’ju dhënë studentëve të saj: “Gjithmonë merrni 20 sekonda për të kontrolluar fakte dhe qëndroni gjithnjë skeptikë”. Media e re, thotë pedagogia, po krijon një mentalitet global, por problemi me gazetarinë investigative (siç e quan ajo, “një specie e rrezikuar në Kosovë”), është se nuk lejon ndërmarrjen e veprimeve afatgjata. Mënyra e vetme sipas të cilës audienca mund të ndikohet nga media, është nëse elita vendimmarrëse është e gatshme ta lejojë atë. Prandaj, efekti i vetëm i besueshëm që gazetaria investigative mund të ketë për publikun është si katarsis, i cili gjithashtu mund të jetë i rrezikshëm, pikërisht sepse nuk bën thirrje për veprim.
Saranda Ramaj përqendron vëmendjen e të gjithëve tek gazetaria sensacionale dhe si kjo e fundit po merr gradualisht vendin e gazetarisë hulumtuese. Një nga arsyet, thotë Saranda, është sepse gazetaria sensacionale ekziston paqësisht me sistemin e drejtësisë, ndërsa marrëdhëniet ndërmjet hetimit dhe drejtësisë janë gjithmonë antagoniste. Ndërsa publikimi i artikujve në internet po zhvendos vëmendjen drejt çështjeve më pak të rëndësishme, paqëndrueshmëria financiare dhe mungesa e profilizimit të gazetarëve po dëmtojnë drejtpërdrejt kushtet e ekzistencës për gazetari cilësore.

Rrjedha e diskutimit ridrejtoi vëmendjen e Petritit tek kthimi në thelb, prandaj ai vë në pikëpyetje për gjithë panelin se si, në kohë të pandemisë, cilësia e mediave mund të prioritizohej mbi nevojën për mbijetesë.
Ideja e Ristić është që qytetarët po fajësohen shumë. Nëse historitë kanë rëndësi për njerëzit, ata ndikohen nga çfarë lexojnë. Pyetja duhet të shtrohet se si duhet lexuar audienca, thotë ajo. Nëse besimi i dobët ndaj mediave është i lidhur me keqkuptimin e tyre, kjo ndodh sepse nuk i është kushtuar vëmendje edukimit mediatik.
Antonijević e sheh pandeminë përmes një lenteje optimiste, duke marrë parasysh ndikimin që pati për të kuptuar më mirë lidhjet që ekzistojnë midis jetës së njerëzve, informacionit të vërtetë dhe lajmeve të rreme. Sidoqoftë problematike, media sociale mund të shihet si një medium i besueshëm për të filluar diskutimin dhe për të zvogëluar lajmet e rreme.
E rëndësishme është të zgjidhen përfaqësuesit, thotë Tahiri. Krahasimi i cilësisë dhe nevojës për mbijetesë nuk mund të bëhet, pasi varfëria nuk është shkaku i situatës aktuale, por edukimi. E vetmja zgjidhje që mund të ndihmojë në gjetjen e një rrugëdaljeje nga kriza aktuale, është përdorimi i fuqisë intelektuale për ta bërë jetën më të mirë. Nëse më parë do të ishte e mjaftueshme të dini se si të lexoni dhe shkruani, në ditët e sotme kuptimi i analfabetizmit funksional është thelbësor. Arsimi është mjeti më i mirë për të mos i besuar verbërisht mediave, por përkundrazi, të merret zakonin për të bërë sa më shumë pyetje.
Ramaj sugjeron që duhet të bëhet një rishikim i mënyrës se si po drejtohet puna gazetareske. Qytetarët janë të ndjeshëm ndaj përmbajtjeve që i prekin ata drejtpërdrejt, megjithatë, vëmendja i kushtohet gjithmonë politikanëve dhe aktiviteteve të tyre të përditshme. Nëse temat sociale do të raportoheshin të parat në rend, thotë ajo, mund të ketë një zhvendosje në konceptimin e audiencës për atë që ka rëndësi dhe çfarë jo. Përveç informacionit, gazetaria mund të përdoret për të rritur ndërgjegjësimin shoqëror.

Në fund të diskutimit, Petrit Sarachini përsërit hapat e nevojshëm për t’i mbijetuar gjendjes aktuale të krizës: edukimi dhe bashkëpunimi më i mirë i mediave, OSHC-ve, institucioneve publike. Eroll Bilibani i DokuFest e sheh bashkëpunimin si mënyrën e nevojshme për të mos iu nënshtruar gjuhës së urrejtjes si normë, ndërsa Kaltrina Hoxha e Misionit të OSBE-së në Kosovë e vendos theksin në edukimin e mediave; përgjegjësia është për t’i mësuar konsumatorët të lajmeve se si të mendojnë në mënyrë kritike.

Diskutimi në panelin e djeshëm është pjesë e programit të zgjeruar të DokuFest, i cili përfshin programe të veçanta filmike, diskutime dhe shfaqje muzikore. Për të interesuarit, ky DokuTalk gjendet në dispozicion në platformën online të DokuFest.

Nga Enxhi Noni