20/08/2020

Partnerët e The Prince Claus Fund nga Uganda, Kosova, Ukraina dhe India diskutuan për të ardhmen e Bashkëpunimit Kulturor. Nën moderimin e Bertan Selim nga The Prince Claus Fund, paneli i diskutimit mblodhi bashkë Teesa Bahana, Linda Llulla Gashi, Hanna Tsyba dhe Pooja Sood.


Gjatë mbylljes për shkak të koronavirusit, ishin Arti dhe Kultura që na ofruan kënaqësi dhe i mbajtën komunitetet me shpresë dhe në këmbë. Në përpjekjet e para për ndihmë vetëm disa vende e përfshinë mbështetjen për sektorin e kulturës, duke e lënë sektorin e pavarur të kulturës dhe shumicën e punëtorëve kulturor jashtë programeve të ndihmës. Dhe organizata të ndryshme kulturore u deshën të gjejnë mënyra për të vazhduar punën dhe aktivitetin e tyre.

Bertan Selim shpjegoi se The Prince Claus Fund është përqendruar, posaçërisht në këtë kohë, në mbështetje e kulturës dhe artit në botë atje ku arti dhe kultura janë më të cenueshme, “gjithashtu për shkak të tkurrjes së hapësirave publike apo ku liria e shprehjes është më e kufizuar”.

Linda Llulla-Gashi prezantoi DokuFest-in dhe projektet e tij, si dhe dha një pasqyrë të edicionit online të këtij festivali. “E kemi pasur të vështirë ta pranojmë këtë version online të festivalit, por deri më tani jemi shumë të lumtur që e kemi bërë, sepse ka qenë opsion më i mirë se sa ta anulojmë festivalin. Dhe jemi shumë të lumtur me bashkëpunimin që kanë treguar njerëzit. Deri më tani rreth 25,000 njerëz e kanë vizituar festivalin”, tha ajo.

Teesa Bahana sqaroi se 32° East Ugandan Arts Trust ofron hapësirë për tu takuar artistët, për tu lidhur dhe për të bashkëpunuar, si dhe është nikoqir i festivalit publik të artit, i cili do duhej të mbahej në gusht. “Vendosëm ta shtynim”, tha Bahana, duke përkujtuar se pandemia solli shumë sfida për artistët dhe punëtorët e kulturës.

Hanna Tsyba nga Visual Culture Research Center (VCRC) në Kiev furi në pah se kriza e pandemisë ka ndikuar të punëtorët kulturor në Ukrainë dhe shtoi se komunitetet e artit dhe kulturës duhet të mendojnë për zgjidhje dhe skenarë të mbijetesës dhe tejkalimit të situatës.

Pooja Sood, drejtoreshë e Khoj International Artists’ Association tha se ky institucion ekziston për artistët dhe se gjatë mbylljes së tërësishme iu desh të dalë në lagje për tu ofruar ndihmë njerëzve, të cilët kanë luftuar për të mbijetuar gjatë asaj periudhe. “Ishte një përvojë që të thyen zemrën”, tha ajo.

Sa i përket të ardhmes së Bashkëpunimit Kulturor ajo përmendi eksplorimin e mundësive për bashkëpunim në sferën digjitale, e cila mund të ndihmojë në ndërtimin e një diskursi, por gjithashtu theksoi se duhet të jemi të vëmendshëm për rreziqet e tij.
“Nuk mund të ndryshosh krejt papritur diçka që je duke bërë e ta shndërrosh atë në digjitale. Ne pund të përgatitemi dhe të kuptojmë platforma të ndryshme”, tha Sood.

Bertan Selim vlerësoi të gjithë panelistet për sinqeritetin në punën e tyre dhe vazhdimin e saj, pavarësisht sfidave të papritura me të cilat janë ballafaquar.

Të gjithë bisedën mund ta shikoni këtu.