17/08/2020

Një nga zgjidhjet për të krijuar dritare mundësish për aktorët që mundësojnë kalimin socio-teknik në energji të pastër dhe të qëndrueshme është manifestimi inkurajues i parimeve të demokracisë energjetike. Agim Mazreku ka diskutuar këtë çështje në Green Talk me Monique Segarra, Mike Ewall, Rinora Gojani dhe Lulzim Syla si pjesë e panelit DokuTalks: Demokracia e Energjisë në Kosovë.

Monique Segarra shpjegoi kuptimin e regjimit të energjisë, e cila sipas saj përfshin akterë, politikanë, burokratë, të cilët punojnë me sektorin e energjisë, firmat, shërbimet, infrastrukturën, dhe preferencat e klientit, çmimet, etj., dhe theksoi se është një gjë shumë e vështirë për ta transformuar, pasi duhet të mendojmë se si mund të lëvizim kah ekonomia me karbon të ulët. Ajo përmendi disa nga sfidat në këtë drejtim, dhe disa dritare të mundësive për ta bërë atë, duke sjellë edhe shembuj se si regjimi mund të rezistojë, dhe si mund të transformohet ai.

“Ajo që është e rëndësishme të mendohet është se ne mund të shikojmë në regjimet ekzistuese të energjisë dhe mund të duket pothuajse e pamundur që t’i sfidojmë ato. Ka firma që janë pengues të thellë, kanë lidhje të ngushtë me politikanë dhe burokratë, kanë shumë para, kanë shumë aftësi për të ndikuar në diskursin dhe tregimin rreth karburanteve fosile dhe rëndësinë e karburanteve fosile në energji dhe zhvillimin ekonomik. Por këta aktorë mund të zhvendosen. Edhe brenda regjimit të status quos mund të ketë lëvizje. Sfida dhe interesi për OJQ-të, për udhëheqësit inventivë të shtetit është se duhet të jenë në gjendje të identifikojnë se si të bindin dhe si të shkojnë rreth regjimit dhe aktorëve jo kompetent. Dhe pastaj si t’i drejtohen shoqërisë civile për të ndihmuar që ta shtyjnë përpara këtë, qoftë përmes diskutimit për ndryshimet klimatike, por edhe duke lidhur lëvizjen tek ekonomia e karbonit të ulët në rritjen dhe zhvillimin e ekonomisë “, tha Segarra.

Agim Mazreku theksoi se shumë raste të përmendura nga Segarra kanë ngjashmëri me Kosovën.

Rinora Gojani konfirmoi se çdo shembull i dhënë nga Segarra në teori, në Kosovë është dëshmuar edhe në praktikë.
“Patjetër që kemi qenë dëshmitarë të rezistencës së regjimit, kur erdhi nga njerëzit e qeverisë dhe ata po promovonin qymyr, në thelb duke u përpjekur të ndërtonin një termocentral të ri në Kosovë”, tha ajo.
Gojani vazhdoi duke theksuar argumentin se Kosova tashmë është e mbytur nga thëngjilli, dhe se koha ka treguar që studimet e tyre për këtë temë ishin të qëlluara.

Lulzim Syla dha njohuri në lidhje me situatën aktuale të energjisë në Kosovë dhe kapacitetet e mundshme të burimeve. Lidhur me tranzicionin e energjisë ai theksoi se “së pari Kosova duhet ta krijojë Këshillin Kalimtar të Energjisë”.

Mike Ewall tha se mënyra më e mirë për të ndaluar projektet e ndotjes është përmes komuniteteve aktive.
“Ajo që ne këshillojmë është të përdorim fuqinë e njerëzve për të luftuar fuqinë e parave”, tha ai.

Në Kosovë, një tranzicion socio-teknik në energjinë e rinovueshme përmes parimeve të demokracisë energjetike mund të trajtojë papunësinë, përparimin e arsimimit, zvogëlimin e rreziqeve shëndetësore të lidhura me përdorimin e qymyrit, dhe në përgjithësi të sigurojë një ekologji të shëndetshme njerëzore.

Diskutimet e plota mund ti shikoni këtu.