19/08/2020

Moderuar nga Pamela Cohn, Orwa Nyrabia (IDFA), Cíntia Gil (Sheffield Doc / Fest), Veton Nurkollari (DokuFest), Shane Smith (Hot Docs) dhe Emilie Bujès (Vision du Rëel) diskutuan sfidat dhe mundësitë e zhvendosjes së festivaleve në sfera virtuale. Zgjedhja e përfaqësuesve nga festivale të ndryshme të filmit nuk ishte rastësi, pasi lejoi të shikohet perspektiva e sferës virtuale nga këndvështrime të ndryshme, duke qenë se festivalet e lartpërmendura gjenden në faza të ndryshme të organizimit të punës së tyre.

Që nga fillimi i pandemisë, prezanton Pamela Cohn, ishte e qartë se shumë vendime duhej të merreshin shumë shpejt për shkak të kufizimit të lëvizjeve, duke e ditur që puna për të përgatitur një festival nis që para një viti. Emilie Bujès dhe Shane Smith ndajnë përvojën e tyre së pari, si ndër të parët të prekur nga zhvendosja e festivaleve në botën online.

Për Emilie dhe ekipin e Visions du Rëel, në vend që të konsiderohej anulimi duke ndjekur shembullin e shumë festivaleve të tjera, ideja e parë ishte të kontaktonin njerëzit nga audienca dhe industria për të parë reagimet që do të merrnin për zhvendosjen e platformës online. Duke marrë shkas nga afati i afërt, vetëm pesë javë kohë për të ndryshuar tërë përgatitjen e bëra gjer në atë pikë, urgjenca e parë ishte gjetja e një platforme që mund të funksiononte në mënyrë efikase. Sapo u kuptua që të zhvillimi i festivalit virtualisht ishte i mundur, hapi tjetër ishte të menduarit më tej dhe ndërmarrja e veprimeve në disa drejtime të ndryshme njëherazi. Prioriteti kryesor gjithmonë mbeti audienca dhe krijimi i platformës më miqësore të mundshme për të, në mënyrë që t’u shërbehej të gjitha brezave. Kështu, komunikimi duke qënë shumë i rëndësishëm, u vendosën strategji për të ftuar sa më shumë njerëz që të ishte e mundur. Sigurisht, ka pasur disa vështirësi, veçanërisht në lidhje me mungesën e prakticitetit për të bërë shumë gjëra. Megjithatë, në fund të fundit, ishte e qartë se shfaqjet e filmave ishin pjesa më e bukur e rezultatit; të gjithë ndiheshin pjesë e diçkaje më të madhe se vetja e tyre.
Për Shane, vështirësitë ishin të përqendruara më shumë në lidhje me logjistikën, duke e ditur që Hot Docs është një festival që zgjat një muaj të tërë. Vendimi i parë i ekipit ishte shtyrja e festivalit, me shpresën që të gjithë do të riktheheshin sërish në kinema gjatë verës. Pasi u kuptua që “së shpejti” nuk ishte kurrkund afër, vendimi u mor për të ecur përpara. Publiku, regjisorët dhe industria kishin përparësi, si dhe përpjekja për të sjellë përvojën e festivalit sado në mënyrë të çuditshme. Ajo që u konsiderua thelbësore ishte, para së gjithash fleksibiliteti, ndarja e rrezikut, si dhe ndarja e përfitimeve. Shane gjykon procesin si të vështirë, por ai është i lumtur që ka kryer një punë që ishte e dobishme për të gjithë.
Cíntia dhe ekipi i saj vendosën të zgjasnin festivalin i cili normalisht mbahet brenda 6-ditësh, në hapësirën kohore të një muaji. Për të dhe kolegët e saj, hapi i parë ishte dakordësia mbi çfarë është thelbësore për festivalin dhe për çfarë duhej të luftonin. Të gjithë arritën në përfundimin se ishte e pamundur të imitohej intensiteti që sjell lidhja njerëzore në një festival fizik, kështu që ishte e rëndësishme të garantonin një program virtual jo intensiv. Publiku kishte një muaj kohë të plotë për të shijuar filmat e propozuar, organizim i cili mbi të gjitha përfaqësonte parimet e Sheffield Doc/Fest. Sipas Cíntia, tregu i filmit ishte disi i suksesshëm por ishte e qartë për të gjithë se në botën virtuale, shumë gjëra humbasin gjatë procesit. Një prej vendimeve të rëndësishme që u mor ishte moszhvillimi i asnjë konkursi, sepse ndihej kundër punës së festivalit, veçanërisht në një kohë kur njerëzit duhet të ndihen të bashkuar në vend që të garojnë.

Vështirësitë kryesore të Veton dhe DokuFest janë kushtëzuar nga çështje që janë të veçanta për rajonin e Ballkanit. Publiku duke qenë i pamësuar me pagesat përmes kartave të kreditit dhe Paypal, numrat (shikimet, fitimet) do të ishin më të modeste në krahasim me festivalet e mëdha. Një çështje tjetër e jashtëzakonshme, deklaroi Veton, ishte fakti që Kosova nuk ka adresat e saj IP, duke e bërë atë jo-ekzistente si shtet në sferën virtuale. Prandaj, skuadra duhej të përfshinte Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë në rrjetin e hyrjes së platformës së festivalit, e cila më pas krijoi probleme me producentët dhe agjentët e shitjeve në lidhje me shfaqjen e filmave, të cilët ishin pjesë e programeve në festivalet e vendeve përkatëse. Me nje ton humoristik, Veton shton se është çmenduri kalimi nga krijimi i një festivali në një qytet pa kinema, në mbajtjen e një festivali virtual në një vend i cili nuk ka adresa IP. Për më tepër, situata e komunitetit vendas ishte veçanërisht delikate, duke marrë parasysh që DokuFest dhe Prizreni kanë bashkëjetuar gjithmonë. Sidoqoftë, lokalet e qytetit po përpiqen të ndezin atmosferën duke shfaqur filmat e DokuFest në hapësira të përbashkëta, duke mbajtur distancat e sigurisë, duke e bërë edhe situatën më optimiste. Për momentin, ekipi po punon për idenë për të bërë një pjesë të dytë të festivalit duke u nisur në tur në qytete të ndryshme të Kosovës.

Orwa dhe ekipi i IDFA vlerëson festivalet e filmit dokumentar si një vlerë e shtuar për botën në të cilën jetojmë. Duke marrë shembullin e DokuFest, ai thotë se ndonëse e pamundur të shpikësh rrotën, ndryshimi mund të bëhet duke qëndruar rezistent përballë punës që duhet bërë. Sidoqoftë, çështja e IDFA është më e veçantë, pasi puna në Hollandë gjithashtu nënkupton një rrezik më të ulët të punës operative. Edhe pse ekipi ka përshpejtuar në hapat logjistikë, festivali po përgatitet në mënyrë aktive për muajin nëntor. Programi i ofruar përbëhet nga gjithsej 200 filma, ndërsa vetëm gjysma e tij do të shfaqet virtualisht. Orwa insiston që çdo film do të shfaqet premierë në kinema para se të vendoset online pavarësisht si mund të ndryshojë numri i të ftuarve dhe shfaqjeve, ndaj nga edicioni i këtij viti i IDFA duhet të pritet transmetimi live i filmave dhe Q&As, në përputhje me programin. Orwa vëren se pika kryesore e punës së tyre është kryerja e shërbimit ndaj filmave dhe ofrimi i një përvoje të denjë për audiencën.

Pamela, duke menduar për audiencën, pyet mbi strategjitë e ndryshme që panelistët kanë vënë në dispozicion për edicionet e ardhshme, me idenë se hapësira e organizimit të festivalit mund të zhvendoset në sferën virtuale dhe në vitet e ardhshme.
Shane vë në dukje rezultatet pozitive për industrinë, siç është cilësia e takimeve në internet. Sidoqoftë, sipas tij, e tashmja fizike duhet të rimendohet. Mungesa e lidhjeve fizike krijon një hendek të madh që zakonisht plotësohet nga festivalet e filmit, dhe për momentin nuk duhet të zëvendësohet edhe pse mungon.
Cíntia është posaçërisht e ndjeshme ndaj problemeve të diversitetit sepse me kinema të mbyllura, nuk ka një platformë për filmat e pavarur ose me forma jo konvencionale për të arritur audiencën. Prandaj, bota virtuale duhet të përdoret si një mënyrë për të paraqitur sfida në tregun e marketingut të filmave. Ajo thotë se ka nevojë për rebelim dhe virtualiteti paraqet një sfidë të tillë.
Emily shtron çështjen sesi platformat në internet, pavarësisht kontributit në prezantimin e një larmie formash, nuk ndihmojnë filmat të cilët kanë nevojë të shihen në mënyrë kolektive, gjë që shkakton zhgënjim dhe pakënaqësi. Orwa kujton për të gjithë se si filmi dokumentar është më i ndjeshëm ndaj platformave kryesore të shikimit të filmave online prej natyrës, sepse e redukton në një kohë kur shoqërohej me televizionin. Sipas fjalëve të tij, pika dinamike është se të gjithë kanë të drejtë të shikojnë filma të mirë në kinema të mira, së bashku me të tjerët. Veton vëren se si është pothuajse e pamundur të kthehemi aty ku ishim, duke marrë parasysh vështirësitë dhe telashet që solli sfera virtuale për të gjithë. Në vend që kjo mundësi të lihet mënjanë, duhet të shohim se si zhvillohet.

Cintia reflekton si festivalet e filmit, fizikë dhe virtualë, janë gjithnjë e më të rëndësishëm vetëm për faktin se mund të ftojnë njerëzit dhe të bëjë ide të qarkullojnë. Diskutimi përfundoi me pyetjen e mëposhtme, cili është veprimi më i mirë për t’u marrë duke pasur parasysh të gjithë situatën?

Nga Enxhi Noni