06/08/2022

Ku ka festë ka muzikë dhe tingujt e muzikës nuk munguan as në mbrëmjen e parë të hapjes së DokuFest. “Andrra” hapësira anës malit priti në mesnatë të rinj nga anë e mbanë botës, të cilët kërcyen deri në agim nën ritmet e muzikës elektronike. Tingujt elektrizues që u performuan nga Tadi çelën skenën e performuesve në DokuNights. 
Përgjatë gjithë festivalit, kjo skenë dhe “Lumbardhi Bahçe” do të presin e përcjellin emra kombëtarë dhe ndërkombëtarë artistësh për t’i bërë netët e qëndrimit në Prizren të paharrueshme. 
Për të pranishmit këto netë janë magjike e me qëllim për t’i bëre të tilla një staf tejet i përkushtuar punon edhe për detajet më të vogla në orë intensive dhe të zgjatura. Për Zani Didën, kreun teknik të DokuNights që ka si detyrë bashkë me ekipin e tij të sigurohet që të gjitha janë në kontroll, performancat e artistëve shijohen teksa punon. 
“Të jesh pjesë organike e DokuNights është një mundësi fantastike. Bëhet fjalë për një projekt ambicioz, realizimi i të cilit kërkon patjetër shumë përkushtim. Nën konceptin kuratorial të Leart Ramës dhe skenografinë e dizajnuar nga skenografja Jeta Veseli e gjithë kjo u kthye për të gjithë ne në një eksperiencë të paharrueshme. Natyrisht vështirësitë dhe sfidat e realizimit nuk mungojnë, por pas gjithë këtyre vjen një eksperiencë kaq e bukur që na shtyn t’i kapërcejmë të gjitha. Sidomos në orët dhe ditët e fundit të realizimit, aritmia dhe stresi kanë qenë miqtë tanë që na kanë shoqëruar (qesh), por ky nuk është për ne viti i parë, është i 10-ti radhazi. Ndaj nuk ka ndjenjë më të bukur se të shohësh të pranishmit teksa ndjejnë atmosferën”, tregon Zani. 
Mbrëmja kulmoi me performancën e label-it të muzikës elektronike “DMX Krew”, Edward Upton u ngjit në skenë duke i dhuruar kështu të gjithë të pranishmëve copëza të metropoleve anë e kënd botës, ku ky label performon. Të sfilitur nga kërcimi me orë të zgjatura, në orët e para të mëngjesit të pranishmit lanë “Andrrën”, teksa në portretet e tyre lexohej fare lehtë lumturia e çasteve të kaluara bukur. “Andrra” do t’i presë sërish ata, në të tjera mbrëmje të paharrueshme me emra fantastikë artistësh që do të rezervojnë momente të papërsëritshme…

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Gerd Waliszewski