07/08/2021

Bendik Giske, artisi dhe saksofonisti queer performoi në skenën e hapur të Lumbardhit pas hapjes së madhe të edicionit të XX të DokuFest.

Bashkangjitur me këtë performancë, në një sintoni të përkryer, u paraqitën dhe vizualet e krijuara nga Florence To, e live sound fx nga Bridget Ferill.

Ndërsa audienca nxitonte për të qenë në Lumbardh për të ndjekur performancën, për të përjetuar ndenjën e pakrahasueshme të eventeve live, këtu në DokuFest, performuesi nisi të luante pasi zhurmat u pakësuan, për të na marrë në një shëtitje muzikore.

Artisit norvegjez, i vendosur në Berlin, shpërbën limitimet mes trupit dhe instrumentit. Tingujt u përcollën duke krijuar një atmosferë relaksuese e menjëherë pas kësaj duke u shoqëruar me ndjesi dinamike e nxituese. Ndërthurja e tingujve barazohet me përcjelljen e një mënyre krejt tjetër të të shijuarit muzikë,  duke krijuar ndjesi të të qenurit në një tjetër botë.

Artisti është i inspiruar nga muzika elektronike dhe jazz, duke perfeksionuar këtë përzierje muzikore me kapacitetin e trupit njerëzor për të performuar në skenë.

Giske përdor fizikalitetin dhe eksploron limitet e limitet e luajtjes në instrument duke përdorur trupin si shenjë drejtuese se kur performanca arrin pikun e vet, apo kur mbaron. Spontaniteti dhe cenueshmëria janë tema themelore për të kuptuar performancën e tij.

Përdorimi i tasteve elektronike dhe luajtja e tyre pa vendosje filtrash apo perfeksionimesh, por duke ndërtuar ritmikisht ndjesi të dëlira, përkapi vëmendjen e audiencës.

Përdorimi i trupit si njësi themelore dhe zhvendosja e vëmendjes nga instrumenti është themelore për të kuptuar më mirë këtë zgjedhje artistike. Kjo gjë sjell një perspektivë të re mbi atë se si muzika  prodhohet, krijohet dhe performohet për audiencat. Është stërvitje e memories muskulore dhe liri për të interpretuar duke vlerësuar çdo ‘gabim’ njerëzor e duke e lënë këtë anë të rritet mes ritmeve elektronike, mikrofonave dhe tingujve sintetikë.

Atmosfera lojcake dhe euforike e sjellë përmes vizualëve që i përngjanin mjediseve qiellore që shoqëruan performuesin, i shtuan elementin e të qenurit të ngritur në një tjetër nivel atmosferik, e njëkohësisht duke shijuar veçantinë e këtij udhëtimi.

Audienca ndihej sikur po qëndronte në disa skena të ndryshme njëkohësisht: prej bareve të jazz-it, tek skenat e muzikës elektronike, e prej andej në një tjetër botë të mundshme tingullore që mund të rikrijohet vazhdimisht. 

Nuk është mjaft të thuash që audiencës iu përplotësuan pritshmëritë dhe në fund të perfomancës ata duartrokitën, por donin që muzika të vazhdonte më gjatë. 

 

Nata përfundoi, ndërkaq pjesëza të tingujve të saksofonit qëndronin në ajër duke u përputhur me erën që frynte në skenën e hapur të Lumbardhit, në Prizren.