03/08/2022

Edicioni i 21-të i DokuFest do të mbahet në fare pak ditë në qytetin e tij emblematik. Kjo ngjarje që në Prizren bën bashkë kineastë, artistë dhe dashamirë të filmit nga e gjithë bota, përgjatë 9 ditëve do t’i ofrojë publikut një mori filmash dokumentarë dhe të shkurtër sikurse edhe diskutime, muzikë dhe befasi tjera. 
Dy kinema të reja i shtohen sivjet vendndodhjeve, në të cilat do të shfaqen filmat, që zgjerojnë perimetrin, ku festivali është mbajtur deri më tani. Ngjarjet muzikore do të përbëjnë natyrshëm një risi të këtij edicioni, në të cilin dy grupe muzikore dhe dhjetëra artistë do të mbushin me tinguj të gjallë hapësirat e qytetit. Më pas, çdo gjë tjetër do të jetë e njëjta, duke ruajtur atë filozofi që DokuFest e ka krijuar ndër vite. 
“Pyetja se çfarë do të jetë risi më është bërë tashmë për 20 vite me radhë. I gjithë edicioni është risi, sepse dallon nga edicionet paraardhëse. Dallojnë tregimet, dallojnë filmat, praktikisht kemi të bëjmë me risi, natyrshëm”, shprehet drejtori artistik, Veton Nurkollari.
Pas dy vitesh të vështira, festivali i rikthehet trajtës së tij normale. Pandemia ndryshoi dinamikën e jetës së gjithësecilit prej nesh, ndaj DokuFest u detyrua të përshtatej me këtë formë të re të të jetuarit. 
“Mendoj se ishim fat, që festivalin patëm mundësi ta zhvillonim online, por nuk ishte e njëjta ndjesi, natyrisht. Pjesa kryesore e festivaleve janë njerëzit dhe pa njerëz nuk ka festival”, rrëfen drejtoresha ekzekutive e DokuFest, Linda Llulla. 
Tashmë pjesëmarrësit kanë mundësinë të jenë sërish bashkë, për të përjetuar eksperiencën, për të ndarë mes tyre përshtypjet, emocionet, për t’u përqafuar e uruar njëri-tjetrin për sukseset. 
Fatkeqësisht, pandemia ishte vetëm një sfidë me të cilën një ngjarje e përmasave të DokuFest u desh të përballej, pasi sfidat e vogla, ato më të vërtetat ndodhin çdo ditë. 
“Gjithmonë ka sfida, ajo kryesorja e cila po na përndjek për 20 vite tashmë është përkrahja e pamjaftueshme institucionale. DokuFest nuk ka më nevojë ta dëshmojë veten, e ka dëshmuar, dhe kjo tashmë dihet”, vijon më tej Llulla, që ndan të njëjtin shqetësim me Nurkollarin. 
“Logjistika është një sfidë më vete. Vijnë grupe të mëdha muzikore me kërkesa të mëdha, të cilat u duhen plotësuar, ndonjëherë duke dalë jashtë kufijve, ndonjëherë edhe duke improvizuar”, shton Nurkollari.  
E megjithatë, përpos vështirësive, për stafin që 365 ditë ndodhet pas projeksioneve të DokuFest, ky festival është një motiv për t’u zgjuar e nisur ditës nga e para. Një ngjarje e ngjashme me një festë... 
“DokuFest është si një dasmë që mbahet një herë në vit dhe vetëm një herë në vit ne kemi mundësi t’i ftojmë njerëzit në këtë dasmë”, thotë Nurkollari duke buzëqeshur. 
Ndaj, në këtë edicion të 21-të, unik të DokuFestit, ju ftojmë të vini për filmat duke ju premtuar se do të qëndroni e do të riktheheni për njerëzit, atmosferën, Prizrenin, Kosovën…

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Gerd Waliszewski