09/08/2022

Suksesi ndërkombëtar i kinematografisë kosovare në dy dekadat e fundit, nuk mund të shkëputet prej DokuFest-it dhe kontributit që ky festival ka dhënë në formimin dhe edukimin e filmbërësve të rinj në vend. 
Dhe janë pikërisht regjisorët e rinj kosovarë që po e shtyjnë valën e madhe të kinemasë ballkanike, e cila fiton çdo vit çmime dhe festivale në mbarë botën. Regjisorë të rinj si Norika Sefa dhe Leart Rama, të cilët tashmë janë afirmuar si filmbërës të suksesshëm me prezencë ndërkombëtare. 
Një nga studentet e para të DokuFest, Norika Sefa, fitoi në vitin 2021 një çmim në Roterdam me filmin e saj të parë, të metrazhit të gjatë “Në kërkim të Venerës’’. 
Ndërsa Leart Rama mori pjesë në programin e DokuFest “Kino Kabaret” në vitin 2014. Ai tregoi talent kur ishte vetëm 15 vjeç. Si një i ri nga Rahoveci, arriti të xhironte dy filma në një vit, në programin e DokuLab “Future is Here” dhe tashmë eksperiencën e tij e ndan me gjeneratën e re.
“Faktikisht unë nuk është që e kam filluar nga e para në shkollën e Filmit Dokumentar, ka qenë viti 2014-të një workshop i mundësuar nga DokuFest. Bëhet fjalë për një platformë globale, online  të quajtur “Kino Kabaret” ku njerëzit nga e gjithë bota regjistrohen, dhe ata që pranohen duhet të realizojnë një film në kohë farë të shkurtër. Kam aplikuar në këtë workshop dhe pse nuk ia kisha idenë se çfarë domethënie kishte fjala regjisor. Kur erdha nuk njihja asnjë dhe isha më i riu në moshë”, thotë Rama.
Filmi i tij i parë shkoi përtej kufijve të Kosovës.  
“Filmi që unë bëra në moshën 15 vjeçare, me pjesëmarrjen e aktores Fioralba Kryemadhi, ka marrë pjesë në një festival filmi në Nju Jork dhe më pas direkt edhe në Festivalin e Filmit në Toronto (TIFF). Pas këtij suksesi më ka ftuar drejtori i DokuLab, Eroll Bilibani për të qenë pjesë e shkollës së filmit dokumentar dhe vendosa që gjithë jetën time do ja kushtoj filmit. DokuFest-i është familja ime e dytë, këtu jam rritur që nga mosha 15 vjeçare, dhe çdo vit kam avancuar për shkak të DokuFest-it, në mënyrën se si unë e shoh jetën, mënyrën se si i shikoj filmat, mënyrën se si unë i shikoj ëndrrat. E gjithë kjo është prej DokuFest-it dhe njerëzve që janë pas tij,” shpjegon regjisori i ri.
DokuFest nuk është thjesht një festival, tashmë prej 10 vitesh kjo organizatë kulturore ka edhe një seksion me programe edukimi, ku zhvillohen burime mësimore online që shpjegojnë çështje komplekse për fëmijët e moshës shkollore dhe promovojnë zhvillimin social. Synimi i organizatorëve është që ta bëjë filmin një aset të qasshëm për audiencën e gjerë, gjithashtu ta përfshijë atë edhe në edukim. 
“Para 10 viteve kemi parë mungesën e produksionit vendor, të tregimeve lokale të cilat reflektohen në filma kreativë dhe mungesa e filmit dokumentar në Kosovë na ka shtyrë që të fillojmë të mendojmë se si mund të krijojmë module të ndryshme të workshop-eve, ku mund të nxisim të rinjtë të vijojnë master-klasa, punëtori të ndryshme dhe të monitorohen nga ligjëruesit tanë, që të mund të tregojnë rrëfimet e tyre, duke ju krijuar nxënësve rehatinë e një hapësire te sigurt ku mund të shprehen pa u gjykuar dhe gjithashtu një hapësirë për shprehje artistike’’ thotë Eroll Bilibani, drejtor i DokuLab, dhe vijon: “Në këtë rast Pandemia fatmirësisht e kishte një aspekt pozitiv pasi kishte mjaftueshëm kohë që ekipi  të ri-mendonte një program i cili do ishte sa më i qasshëm nga të gjitha shkollat. Brenda bibliotekës digjitale tashmë falë programit DokuLab, të gjithë filmat e DokuFest-it mund te shihen nga të gjithë deri jashtë territorit të Kosovës, me parimin bazë të DokuFest: Dituria duhet të jetë e hapur dhe e qasshme për të gjithë!” 
Dokufest synon të ndryshojë për mirë shoqërinë në Kosovë dhe për këtë arsye, Eroll Bilibani thotë se në DokuLab trajtohen tematika për çështjet aktuale në Kosovë, siç janë barazia gjinore, ndryshimet klimatike dhe të drejtat e njeriut. 
“Qëllimi ynë nuk është të nxisim drejtpërdrejtë që të kemi menjëherë regjisorë, qëllimi ynë është të tregojmë historitë tona lokale, t’i tregojmë brengat e të rinjve në një formë artistike, nëse ata vendosin më pas të vazhdojnë me film, atëherë ne do t’ju rrimë përkrah tërë jetën. Duke parë se kemi pasur fatin të kemi prurje shumë premtuese si rasti i Norika Sefës, Leart Ramës, sikur çdo vit të na dilte nga një talent i tillë atëherë kjo për ne është sukses”.
Sipas Bilibanit, programi i DokuLab në edukim ka tre drejtime, nga edukimi mbi filmin, dhe filmi si formë edukimi, dhe te distribuimi i filmit përmes kinemasë udhëtuese, pra aty ku nuk ka qasje më programe alternative të filmit. 
“Roli ynë si DokuFest është se si nxënësit të mund të kenë një mbështetje tonën në mentorim dhe se si t’i ndihmojmë ata që të kenë qasje tek filmbërësit ndërkombëtar te suksesshëm të cilët mund t’i mësojnë disa aspekte të ndryshme të filmbërjes. Një element i shkollës “Future is Here” është që ata kanë një ligjëratë për hulumtimin, dhe mësojnë prej njerëzve që kanë hulumtuar, për shembull Dea Gjinovci autorja e  filmave “SANS LE KOSOVO” dhe “WAKE UP ON MARS” para se te fillojë xhirimin e filmave të saj ka hulumtuar 2-3 vite dhe ajo tregon sa e rëndësishme është të hulumtosh në film. Pastaj kemi pjesën e etikës në film, pasi në dokumentar shpesh herë filmbërësit ballafaqohen me çështje etike. A ti xhirojmë? A mos t’i xhirojmë? I mësojmë pra dhe për çështje etike, i mësojmë dhe për montazh , i mësojmë për zërin, për muzikën në film, për fotografinë në filmin dokumentar, këto mësohen nga Samir Karahoda, Samir Luma që ka qenë drejtor fotografie i “Honeyland”, i nominuar për çmimet Oscar. Pra mundohemi gjithnjë ata më të mirët t’i sjellim që ata t’i ligjërojnë, pastaj jemi unë dhe Blerta Zeqiri, Leart Rama. Learti tani është mentor i gjeneratave të reja dhe tani krijohet një qark i cili është goxha i frytshëm sepse nuk i flasim më ne të rriturit po është dikush i cili ka qenë në moshën e tyre , i cili ka bërë film është bërë filmbërës i suksesshëm dhe tani e ndan përvojën e vet më ta. Kjo është arsyeja pse si DokuFest, ne duam ta zhvillojmë transferimin e njohurive”, përfundon ai. 
Një përzgjedhje e filmave të prodhuar përmes punëtorive të krijimit të filmave në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, si Future is Here X, Stories from the Region dhe Youth Film Camp do të shfaqen gjatë DokuFest. Të martën mbrëma nga ora 20:00 Kino Lumi pret filmat nga Youth Film Camp dhe Future is Here X. Filmat nga Stories from the Region do të shfaqen të mërkurën nga ora 12:00 në Kino Klubi.

Nga Pediona Dautaj