13/08/2022

Me arkivat e njëmbëdhjetë transmetimeve të bëra për RTBF nga viti 1977 deri në vitin 2003, një periudhë vendimtare në përdorimin e asbestit në Belgjikë dhe në Evropë zbulohet në dokumentarin “THE ASBESTOS GRAVE: CHRONICLE OF A DESASTER FORETOLD”.
Të gjitha rreziqet ishin të njohura për industrialistët, por punëtorët do t'i zbulojnë ato gradualisht përmes sëmundjeve dhe vdekjes. 20 vitet para ndalimit të asbestit në Belgjikë më 1998 ishin vite të fituara në mënyrë cinike nga industria, falë propagandës së saj, mohimit dhe gënjeshtrave, falë edhe pasivitetit të autoriteteve publike dhe vetëkënaqësisë së qarqeve shkencore dhe sindikale që nuk ishin në gjendje të mblidheshin për kauzën e tyre.
Në vitin 1995, heqja e asbestit nga Berlaymont, ndërtesa e Komisionit e Evropian, hapi sytë e publikut të gjerë mbi rreziqet që paraqet azbesti. Më në fund mund të niste lufta e gjatë e viktimave për të marrë dëmshpërblim. Por historia nuk mbaron me kaq. Asbesti përdoret ende në shumë vende. Në Evropë dhe Belgjikë, edhe pse i ndaluar, ai është ende i pranishëm kudo në mjedis, në shtëpi, në shkolla.
Gjatë sesionit të pyetjeve dhe përgjigjeve pas shfaqjes së filmit në DokuFest, bashkëregjisorja e filmit, Nina Toussaint shpjegoi pikën e fillimit për realizimin e këtij filmi.
“Para njëzet vitesh, unë dhe Marie-Anne Mengeot kemi punuar së bashku në televizion. Kisha parë arkivat dhe i thashë asaj se është vërtet një material interesant, për të treguar të gjithë historinë. Dhe pas disa vitesh ajo më kërkoi ta bëjmë dhe e bëmë”.
Sipas saj punëtorët ishin viktimat e vërteta.
“Më bëri përshtypje kur i pashë arkivat. Unë disa për asbestin që në vitet '90. E dija që kishte ndotje në ndërtesa, por nuk kisha menduar për të gjithë ata punëtorë që për qindra vjet vdiqën nga azbesti. Punëtorët nuk kanë asnjë grup ndikues, ndaj duhet shumë kohë për të ndryshuar”.
Por i rëndësishëm ishte edhe raportimi për këtë çështje.
“Diçka tjetër interesante për këtë film është fakti se është një film edhe për gazetarinë. Ishte në televizionin publik kështu që është shumë interesante, pasi në atë kohë ishte e mundur të punohej kështu, ndërsa sot është më e vështirë sepse gjithçka është më shpejt, ajo kishte kohë t'i kthehej të njëjtës gjë çdo 2, 3, 4 vjet. ”
Dhe forca kryesore shtytëse për të realizuar këtë film ishte informimi i brezave të rinj për rreziqet nga azbesti.
“Puna është se të gjithë personat që ishin personalisht përgjegjës kanë vdekur. Pra një proces penal nuk është më i mundur. Ka ekzistuar një proces civil ndaj kompanisë që nuk kishte të bënte me paratë, por më shumë kishte të bënte me një simbolikë, për të kërkuar përgjegjësinë nga një kompani. Kjo varet nga sistemi i drejtësisë në secilin vend. Në SHBA është e ndaluar përdorimi i asbestit, por në Brazil, Indi, përdoret ende, dhe në Evropë është kudo nëpër ndërtesa. Është e rëndësishme të largohet kjo gjë. Problemi është se kaq shumë njerëz nuk e dinë historinë. Dhe kjo është arsyeja që e bëmë filmin që brezat e rinj të informohen”.

Fotografia: Esad Duraki