10/08/2022

Universiteti “Ukshin Hoti” në Prizren në partneritet me DokuFest (Festivalin Ndërkombëtar të Filmit të Shkurtër dhe Dokumentar) bashkë me Parkun e Inovacionit dhe Trajnimit (ITP) organizojnë edicionin e parë të Shkollës Verore Ndërkombëtare në Prizren, duke ndërlidhur kështu edukimin dhe artin.
ISS ofron shtatë kurse që mbulojnë një gamë të gjerë fushash studimi, të tilla si Inteligjenca Artificiale (AI) dhe inxhinieria për qytetet mençura; Politika Bujqësore dhe Ushqimore në përgjigje të krizës së Covid-19; Marketingu Dixhital dhe Inovacioni gjatë Periudhës së Covid-19; Mësimdhënia përmes filmave; Analiza statistikore; Drejtësia Tranzicionale në Kosovë: Ndjekja e Drejtësisë përmes Gjykatave dhe Tribunaleve dhe Anglishtja për qëllime punësimi.
Në këtë edicion po marrin pjesë më se 200 studentë, profesorë dhe të ftuar nga 40 vende të ndryshme të botës.
Anna Richter nga Gjermania ndjek studimet master në Studimet për Evropën Lindore, me fokus në të Drejtën Ndërkombëtare, dhe ajo po shijon përvojën e Shkollës Verore, të kombinuar me aktivitetet e DokuFest.
“Nuk është hera ime e parë në rajon, por është hera ime e parë në Kosovë. Gjithmonë kam dashur të vij këtu dhe kur mësova për shkollën verore në Prizren dhe se ata kanë modulin për drejtësi tranzicionale mendova se kjo do të ishte një mundësi e përkryer, sepse jam e interesuar për drejtësinë tranzicionale, për ligjin në Ballkanin Perëndimor dhe mendova se do të ishte interesante ta mësoja atë në Kosovë dhe të kisha një këndvështrim tjetër. Deri tani kam pasur një përvojë shumë të mirë, më kanë pëlqyer temat që kemi diskutuar gjatë Shkollës Verore, më pëlqejnë aktivitetet dhe sigurisht është e mahnitshme që kemi qasje në DokuFest që mund të shikojmë çdo film, të marrim pjesë në DokuNights, dhe kjo na krijon shumë përvoja të ndryshme. Sidomos për Drejtësinë Tranzicionale kemi marrë një listë rekomandimesh me filma që janë të rëndësishëm për ne, për shembull të gjithë kategorinë e Human Rights Dox, që mbështesin atë që mësojmë në kurs dhe të kemi debate të mëtejshme”.
Amogh Jayaraj Rau nga India po ndjek studimet e tij master në Universitetin Johannes Kepler në Linz, Austri dhe domeni i tij është Inteligjenca Artificiale, kështu që ai u tërhoq menjëherë nga kursi i Inteligjencës Artificiale (AI) dhe Inxhinierisë për qytetet e mençura. Por DokuFest-i është edhe një ngjarje e veçantë për të. “Ky është festivali i parë i filmit që po marr pjesë si pjesë e diçkaje, kështu që është përvoja ime e parë. Jam shumë mirënjohës që Shkolla Verore po organizohet gjatë këtyre ditëve pasi kam mundësi të përjetoj kohën e studimit gjatë ditës dhe jetën e natës në Prizren gjatë natës, pra është një kombinim i dy botëve më të mira. Është magjepsëse”.
Profesori Artan Qineti nga Universiteti Sllovak i Bujqësisë në Nitra është krenar që merr pjesë në edicionin e parë të Shkollës Verore në Prizren, duke mbuluar çështjet e politikave të bujqësisë dhe ushqimit në kontekstin e pandemisë Covid dhe luftës në Ukrainë. Sipas tij, Prizreni është vendi i duhur për të lidhur arsimin dhe artin.
“Më vjen shumë mirë që këtu po lidhim dy aktivitete të mëdha, njëra është edukimi në Shkollën Verore dhe tjetra është arti - DokuFest. Është një demonstrim ideal i faktit se zhvillimi vjen nga arsimi dhe arti, ato rrisin jo vetëm njohuritë, por edhe standardet e jetesës. Përshtypjet nga aktivitetet janë të mrekullueshme, Prizreni është vendi ideal për t'i bashkuar këto dy aspekte. Njerëzit janë të mrekullueshëm, mikpritës dhe këtu kemi kolegë, studentë nga vende të ndryshme, me prejardhje të ndryshme, por ata bashkohen në një vend ideal për të shkëmbyer përvoja dhe ide”.
Nol Krasniqi, profesor në Universitetin e Prizrenit dhe anëtar i komisionit organizativ të Shkollës Verore, sqaroi se në këtë manifestim po marrin pjesë më shumë se 200 studentë nga 40 vende të botës. “Është edicioni ynë i parë, por me mbështetjen dhe përvojën nga DokuFest dhe ITP, gjithçka shkoi mirë. Duke ndjekur hapat e tyre ne arritëm të përmbushim qëllimin tonë. Planifikojmë të vazhdojmë punën për edicionin e ardhshëm së bashku me partnerët tanë, DokuFest dhe ITP”.
Me vendndodhje në qytetin e Prizrenit, Universiteti “Ukshin Hoti” është themeluar në vitin 2009 si universiteti i dytë publik në Kosovë.


Fotografia: Elmedina Arapi