08/08/2022

Një festival si “DokuFest” nuk mund të linte kurrsesi jashtë vëmendjes edhe publikun tonë të vogël. Tek ta rriten profesionistët, artistët, inxhinierët dhe përse jo filmbërësit e së ardhmes. Përmes programit “DokuKids” dedikuar fëmijëve, synohet angazhimi i tyre në çështje që prekin njësoj sa ata dhe të rriturit. 
“DokuKids” është hapësira dedikuar fëmijëve në festival. Mund të konsiderohet një ndër hapësirat më të rëndësishme të festivalit pasi prodhon artistë dhe audiencë të re. Përgjatë këtyre ditëve po mbahen një mori aktivitetesh duke filluar nga filmat, për të vijuar me punëtoritë. Bëhet fjalë për rreth 40 filma që po i shfaqen publikut tonë të vogël dhe 6 punëtori përmes të cilave fëmijët do të zhvillojnë kreativitetin në fusha të ndryshme që kanë të bëjnë me artin, teknologjinë po ashtu filmbërjen. Përmes “DokuKids” përpiqemi që brezin e ri ta njohim më shumë me procesin e filmbërjes me dëshirën se një ditë kur të rriten, filmat e këtyre fëmijëve do ti kemi pjesëmarrës në DokuFest”, tregon Prek Memaj, asistent kurator i “DokuKids”.
Ndërsa Rita Bekqeli, kuratore e programit të filmave të “DokuKids” tregoi më shumë rreth tematikave të këtyre produkteve filmike që u ofrohen të vegjëlve. 
“Filmat që u ofrohen fëmijëve në programin DokuKids kanë si qëllim parësor edukimin dhe ndërgjegjësimin duke u argëtuar. Një pjesë e mirë prej tyre kanë si tematikë mbrojtjen e mjedisit, bullizmin, mbrojtjen e kafshëve dhe mbijetesën në situata SPECIFIKË.”
Këtë të hënë në hapësirën e Parkut të Inovacionit që prej mëngjesit janë shfaqur rreth 10 filma enkas për fëmijët që vijnë nga qytete të ndryshme. Teksa dita ka vijuar më pas me punëtoritë, ku njëra prej tyre ka si tematikë ngjyrosjen ndërsa e dyta, përdorimin e teknologjisë në art. 
“Përdorimi i teknologjisë në art” u mbajt nga Jeremy Laurichesse, instruktor filmi dhe filmbërës, i cili foli ma gjatë rreth kësaj klase. 
“Së bashku me një ekip me të cilin unë punoj në vitin 2015 krijuam një kolektiv artistik që përqendrohet në edukimin përmes imazheve. Ne zhvillojmë klasa lidhur me këtë tematikë kryesisht për fëmijë, përmes të cilave përpiqemi të edukojmë përmes tureve që i zhvillojmë çdo vit me qëllim që të mësojmë kinemanë në një mënyrë ndryshe. Sot kemi një aktivitet me fëmijë të cilëve po u mësojmë artin e animimit dhe stopmotion. Është një praktikë që i bën ata të punojnë të pavarur, dhe të ndihen sikur po e realizojnë vetë filmin.”
Aktivitetet e “DokuKids” po e bëjnë çdo ditë qytetin të gumëzhijë nga zërat e këndshëm dhe lëvizjet e shpenguarve të atyre që janë pjesa më e ndjeshme e çdo shoqërie.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Kushtrim Haxha