06/08/2022

Diskutimet dhe nxitja e debatit rreth tematikave që shqetësojnë shoqërinë, por dhe kineastët në veçanti janë një pjesë organike e DokuFest. Përmes DokuTalks këto tematika vijnë tek audienca nga panelistë, profesionistë të fushave të ndryshme. Ata ndajnë me njëri- tjetrin histori që atyre vetë u kanë ndodhur dhe opinione, me qëllim ndërgjegjësimin dhe rritjen e vëmendjes. 
Pasditen e kësaj të shtune në oborrin e shtëpisë së “Shani Efendi” u mbajt diskutimi i dytë i DokuTalks, me panelin e përbërë nga 4 profesionistë të filmit dokumentar si Samir Karahoda, Dea Gjinovci, Marija Zidar, Ljubomir Stefanov. Paneli, nën moderimin e Aliriza Arënliut ndau eksperienca nisur nga perspektiva personale dhe jo vetëm. 
Cili është fati i personazheve të filmave dokumentarë pasi filmi përfundon? 
“Po marr shkas nga eksperienca ime në filmin “Honeyland” për të shprehur se çfarë ndodh në raportin publik-protagonist dhe presionin që ky i pari ka tek protagonisti i një filmi. Jam përpjekur të tregohem objektiv lidhur me këtë çështje dhe të mos ndikohem, ndonëse është mjaft e vështirë. Sipas meje, ndonëse nuk mendoj se ky është qëndrim vetëm i imi por të hallkave të realizimit të një filmi, para dhe pas, askush nuk pyet për antagonistët. Askush nuk pyet për antagonistët të cilët janë gjithashtu njerëz. Është një pyetje e cila nuk ka për të marrë ndoshta kurrë përgjigje”, u shpreh regjisori Ljubomir Stefanov. 
Teksa një qëndrim të ngjashëm solli në vëmendje edhe producentja e filmit “Wake up on Mars”, Dea Gjinovci e cila u ndal tek përfshirja e ekipit të filmbërësve në ngjarjen që një film trajton dhe në raportin e tyre me personazhet e filmit.  
“Gjatë xhirimeve të filmit “Wake up on Mars” ishte e pamundur të mos lidheshe emocionalisht me familjen dhe fëmijët protagonistë. Unë nuk vura kurrë barriera mes vetes dhe tyre, ndaj mendoj se është vërtet e nevojshme që këto personazhe që bëhen pjesë e produkteve tona kinematografike t’i ndihmojmë.  Njësoj siç unë jam përpjekur të bëj në rastin tim. Në një farë forme unë u bëra pjesë e familjes së tyre dhe ata u bënë pjesë e jetës time. Natyrisht ka patur momente në të cilat kam thënë se duhet të mos përfshihesha, por kjo rezultoi të ishte tejet e vështirë. Bisedat e zhvilluara me ta kur je aty janë më informale dhe natyrisht kjo të bën që ti përjetosh disa gjëra më shumë dhe më nga afër. Në fund të ditës prezantimi i tyre në film do të jetë i përjetshëm dhe do të na duhej ta tejkalonim natyrën njerëzore për të mos u përfshirë emocionalisht”.
Ndërsa regjisorja Marija Zidar e cila u ndal në eksperiencën e saj në filmin “Reconciliation” në fjalën e saj paraqiti një anë tjetër të diskutimit, duke e paralelizuar me një këndvështrim gazetaresk. 
“Unë kam një të shkuar gazetareske dhe pyetja e parë që të bëjnë në gazetari është se çfarë ndodh kur ti i drejton mikrofonin dikujt. Pasi në situata të veçanta protagonistët kanë tendencën të flasin pa e ditur se po bëhen protagonistë. E njëjta gjë ndodh dhe në film. Jo gjithmonë ti je i vetmi që vendos për filmin, ku do të shfaqet cila do të jetë audienca që do ta ndjekë.”
Më pas regjisori i mirënjohur Samir Karahoda ndau një histori të filmit të tij “In Between, Displaced”, garues në vitin 2021 në Festivalin e Filmit në Kanë.
“Unë e nisa krijimtarinë time duke xhiruar nëpër Prizren lidhur me tradita vërtetë specifike. Fillova duke pyetur njerëzit nëse mund të xhiroja dhe ata më hapën dyert. Kjo është ajo që më pëlqen në të tilla kontekste, që njerëzit e kanë në natyrë të të hapin dyert e shtëpive edhe pa e ditur se kush je. Kur mu mundësua realizimi i një filmi e mora laptopin dhe bëra një kontratë me personazhet. Në kontratë parashikova qartë pikën se filmi në të cilin ata do të ishin protagonistë nuk do të përdorej kurrë për qëllime komerciale. Nuk mund ta harroj kurrë skenën kur në një fshat të Prizrenit një prej protagonistëve më ofroi raki teksa shihnim filmin e përfunduar. Pasi e pa më tha nëse mund ta zgjasja pak. Madje u vetëofrua të gjente vetë paratë, që unë ta zgjasja filmin. I pari problem që pata me karakteret ishte t’i bindja të luanin veten pasi nuk doja të merrja aktorë. Që prej fillimit e dija që duhej ngritur zëri dhe nëse donim që zëri ynë të shkonte deri tek qeveria dhe strukturat e tjera duhej patjetër që filmi të shfaqej jashtë vendit. Së bashku me të dy personazhet patëm mundësinë të shkonim në Kanë dhe të ecnim përkrah njëri-tjetrit në tapetin e kuq. Aktualisht jam shumë i lumtur që tashmë ata kanë mundësinë dhe munden ta prezantojnë vetë veten dhe historinë e tyre. ” 
“Post Partum” ishte vetëm një prej tematikave të larmishme që DokuTalks trajtoi, teksa në ditët në vijim një sërë debatesh të tjera do të pasurojnë aktivitetet e festivalit.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Esad Duraki