06/08/2021
Ëndrra e një grupi entuziastësh për rikthimin e kinemasë në qytetin e vjetër përmes inicimit të festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër pos që është përmbushur, njëzet vjet më pas po kurorëzohet edhe me ndikimin e patjetërsueshëm në zhvillimin e kinematografisë vendore si dhe sukseset e saj në arenën ndërkombëtare. Krahas dëshmisë për programim cilësor, DokuFest përgjatë njëzet viteve të veprimtarisë ka arritur që të frymëzojë gjenerata të reja të filmbërësve, sikurse edhe filmin ta integrojë në sistemin arsimor, por edhe të prodhojë filma, që kanë marrë vëmendje në festivalet e njohura botërore.
“Nëse më duhet me fol për suksesin e filmit kosovar në kohët e fundit, e sidomos në këtë vit, atëherë mendoj që ndikimi i DokuFestit është mjaft i madh. Nuk di nëse bën me imagjinu një Kosovë pa DokuFest, e me këtë lloj suksesi. Më duket se është iluzore me tentu me imagjinu, sepse DokuFesti ka bërë mjaft me promovua kulturën e filmit, me promovu filmbërjen, ndoshta edhe ëndrrat e disa të rinjve me u marrë me film dhe ato me u realizu. Ka sjellë shumë filma, shumë filmbërës nga krejt bota, ka krijuar një ambient të shëndosh me u marrë me filmin, dhe ky sukses deri diku mundet dhe duhet me ju atribua edhe DokuFestit”, thotë drejtori artistik i DokuFestit, Veton Nurkollari. Sipas tij, ky rrugëtim 20 vjeçar ka qenë sfidues, dhe vazhdon të jetë i tillë edhe sot e kësaj dite.
“Nuk duhet harruar një fakt se ne bëjmë festival në një vend, ku sot e kësaj dite i mungojnë shumë gjëra, infrastruktura, strukturim të organizatave për me u marrë me këto sende, shumë punë në formë vullnetare, një pjesë e festivalit vazhdon me u realizu me ndihmën e vullnetarëve pa atë energji dhe pa atë vullnet, vështirë se do të bëhej kaq shumë. Shpesh flitet për një fenomen si DokuFest, se si është e mundur që një vendi që i mungojnë shumë sende, prej ku ende sot e kësaj dite është vështirë me udhëtua, e në anën tjetër vijnë shumë njerëz dhe frymëzojnë të tjerët. Natyrisht që ka qenë sfiduese, por në anën tjetër është kënaqësi me u ballafaqua me sfida dhe me i tejkalu. Kjo është njëra prej lajtmotiveve të DokuFestit që çfarëdo sfide që del përpara duhet të tejkalohet dhe kjo disi na ka mbajtur dhe na ka shtyrë përpara”, deklaron ai.
Nurkollari shton se programi cilësor, i ndërtuar pa kompromis, ka trasuar rrugën për sukseset e tanishme. “Cilësia e programit për një kohë të gjatë ka ndihmuar me ardhë deri te një sukses, të cilin po e shohim tash. Jo të festivalit aq, sa të filmbërësve të ri, sepse në Prizren dhe DokuFest për një kohë të gjatë ka qenë dhe ende është e mundur me pa prodhimtarinë gati më të mirë në kohën e caktuar. Me një gjë nuk kemi bërë kompromis, cilësinë e programit. Investojmë shumë mund dhe shumë kohë, dhe është mundi i shumë njerëzve në krijimin e programit. Dalëngadalë programi është pasuru, është cilësu, është strukturu edhe ka fillu me u njoftë si një shenjë dalluese e këtij festivali dhe sot në Prizren mund të shihen filmat më të mirë të atij viti. Rrjedhimisht kjo ndikon mjaft në frymëzimin e filmbërësve të rinj, sepse ata kanë mundësi të vijnë në festival dhe të shohin se çka është aktuale, cilat janë ato filma që shfaqen këtu dhe në shumë raste shkojnë e fitojnë çmime të rëndësishme deri te Oscari. Nuk e di se ku mund të frymëzohet dikush më shpejtë dhe më mirë se në DokuFest, natyrisht nëse ka ambicie për tu bërë filmbërës. Por nuk është vetëm çështja e filmbërësve, sepse në Prizren vijnë edhe njerëz të rëndomtë për të parë filma të rinj dhe të mirë. Mendoj se edhe kjo është një vlerë e shtuar e programit të festivalit, për të cilin punojnë shumë njerëz”, pohon Nurkollari.
Ndërsa përzgjedhësi i programit të filmave të shkurtër dhe atij kombëtar, Samir Karahoda vlerëson se ndikimi i DokuFestit ka qenë i shumëanshëm në dy dekadat e shkuara.
“Ndikimi është i drejtpërdrejtë edhe në sukseset e tashme që ka kinematografia kosovare, sepse institucioni që e ka promovuar kinematografinë kosovare në vitet e para të pasluftës ka qenë DokuFesti”, thotë Karahoda, duke përmendur edhe partneritet e shkëmbimet e atëhershme me festivalet, përzgjedhësit e filmave dhe filmbërësit nga mbarë bota. Ai kujton se si në vitet e para të festivalit nuk ka pas kategori të ndara të filmave, dhe se seksionet kanë nisur që të ndahen prej edicionit të V-të, duke rritur cilësinë si te gara kombëtare ashtu edhe të programi i filmave të shkurtër. “Sa i përket filmit të shkurtër ka pasur rritje graduale, dhe mund të them që komplet programi është njëri prej më të mirëve, pasi këtë e kanë konstatuar kritikët e filmit si dhe përzgjedhësit e festivaleve tjera, prandaj dhe duhet të ndihemi krenar me këtë program”, thekson Karahoda.
Rishtazi filmi i Karahodës, “Pa Vend” pati premierën botërore në festivalin e Kanës, që po ashtu është një e arritur e madhe e kinematografisë vendore. “Për 20 vjet merren me selektim të filmave dhe kam parë gjithçka nga të gjitha anët e botës. Edhe kjo është një shkollë krejt tjetër, që bazohet në përvojë. Kjo ka ndikuar që ta zhvillojë veten, me pa forma, stile të ndryshme prej vendeve të ndryshme dhe kjo më ka shtyrë që të bëj diçka që nuk e kanë bërë të tjerët. Mendoj se kjo më ka dhënë një përparësi sa i përket perceptimit të tregimit vizual, që më ka shtyrë që të bëhem një regjisor me koncept pune krejt ndryshe nga ajo konvencionale”, thotë Karahoda.
Ndërsa kreu i DokuLab brenda DokuFestit, Eroll Bilibani pohon se sjellja e filmave cilësor dhe të filmbërësve përgjatë vitesh ka ndikuar në fuqizimin e kulturës së filmit, i cili potencial është vënë në zbatim nga kjo organizatë.
“DokuFesti në vitin 2008 ka filluar përdorimin e filmit në shkolla, me krijimin e disa kino klubeve në disa shkolla të Kosovës, ku organizoheshin shfaqje filmash e diskutime për to. Pas kësaj është parë mundësia që me projektin e parë me BE-në të krijohet Fabrika e filmit dokumentar - Tregimet nga margjinat e Kosovës, ku ka ndodhur produksioni i parë në Kosovë, ku kemi pas pjesëmarrës të rinj, që kanë krijuar filma që kanë shkuar në festivale të ndryshme. Me këtë program e kemi parë potencialin tonë me ndiku te të rinjtë që me mujt me kriju ata filma. Kështu ka lind ideja për programin Future is Here, një ide e bashkëpunimit rajonal, por pastaj e kthyem edhe në nivel të Kosovës, ku tani e 9 vite nxënësit pas një procesi të trajnimeve mësojnë se si ti trajtojnë temat shoqërore përmes filmit kreativ dokumentar”, thotë Bilibani.
Sipas tij edhe mbështetja e NED-it ka ndihmuar në themelimin e shkollës për krijimin e talentëve të rinj, sikurse edhe bashkëpunimin me 4 shtete të rajonit, ku është krijuar shkolla rajonale e filmit e quajtur Active. “Gërshetimi i këtyre dy shkollave ka nxjerrë talentë të shumtë të filmit, ku i kisha veçuar Norika Sefën dhe Leart Ramën, që janë afirmuar si filmbërës të sukseshëm me prezencë ndërkombëtare”. E tërë kjo sipas tij ka ndikuar në rritjen e numrit të punëtorive të tilla, me qëllim të ofrimit të mundësisë të rinjve për me i trajtua temat e ndryshme shoqërore përmes filmit. “Deri sot janë prodhuar mbi 130 filma”, deklaron ai, derisa shton se hapi i radhës ka qenë ndërlidhja e filmit me sistemin arsimor, gjë që ka krijuar nevojën edhe për ristrukturim të organizatës.
“Kështu ka lind departamenti ynë i edukimit, DokuLab, që këto filma që prodhohen prej nxënësve nga Kosova me i përdor në procesin arsimor, ku janë realizuar një seri trajnimesh për mësimdhënësit sesi mund ta ndërlidhin filmin me kornizën kulikulare të Kosovës, që ka ofruar një qasje të re për përmirësimin e cilësisë në arsim”, thotë Bilibani, duke përmendur edhe krijimin e bibliotekës së parë digjitale për mësimdhënësit, ku vet mësimdhënësit kanë krijuar materiale didaktike për filmat e krijuar nga programi i DokuLab, i cili do të vazhdojë veprimtarinë me edukimin mbi filmin dhe edukimin përmes filmit, dhe akreditimi nga MASHT-i vetëm se do të rrisë fokusin në krijimin e gjeneratave të reja të filmbërësve. “Kjo, sepse e kemi parë që filmi është një ndër ambasadorët më të mirë të promovimit të vendit tonë. Në këto vite të fundit është dëshmuar se kjo valë e filmbërësve të rinj nga Kosova, sjellin disa tregime të reja shoqërore, por që ju nevojitet pak kurajo dhe pak drejtim, të cilin e mundëson tutorja jonë Blerta Zeqiri bashkë me ekipin tonë”, pohon Bilibani, teksa flet me entuziazëm edhe për 6 filmat e krijuar sivjet, ku 3 sosh sjellin temën e ballafaqimit me të kaluarën.
“Deri sot, si DokuFest, kemi treguar se dimë me programu filma, dimë me përdor filmin në arsim, por edhe dimë që të bëjmë filma shumë të mirë”, shprehet Bilibani.
Ndërsa drejtori artistik, Veton Nurkollari vazhdon që të jetë optimist për zhvillimin e mëtejmë të kinematografisë vendore, me thirrjen për shtim të investimeve në film e kulturë.
“Nuk e di nëse ky është kulmi i kinematografisë tonë. Shpresoj mos të jetë, por të jetë themeli për arritje më kulmore. Por kam edhe brengat e mia, duke parë se çka ka ndodhur me sukseset e kinematografive të ngjashme, të vogla, të reja, që është mbajtja e suksesit dhe çka duhet bërë shoqëria për të pasur vijimësi të sukseseve. Mendoj se mund të arrijmë akoma suksese më të mëdha, por në njëjtën kohë ekziston rreziku për rënie të shpejtë nëse nuk investohet, ose nëse nuk reagohet që ky sukses të pasohet edhe me suksese tjera. Nëse e krahasoj me xhudo, me suksesin e Majlindës në Rio, erdhën edhe dy sukseset e jashtëzakonshme në Tokio. Por si ka ardhur deri te kjo pak a shumë e dimë se së paku një grup i vogël i njerëzve dhe një vullnet i madh kanë qenë ajo çka është investu. Edhe në film e kulturë duhet investuar më shumë, sepse sukseset në kulturë janë promotor i jashtëzakonshëm i këtij vendi. Me pak investim, mund të arrihet shumë. Megjithatë mbes optimist sikur edhe në të shkuarën”, përfundon Nurkollari.