10/08/2024

Megjithëse edicioni i 23-të i DokuFest po i afrohet ngadalë përfundimit, ekipi i programimit të filmave ka mbajtur një ose disa asë të fshehur nën mëngë si kujtesë se kaosi mund të jetë vërtet i pafund, por i tillë është dhe bukuria e tij. Duke i dhënë fund projeksioneve speciale për këtë edicion, ikona legjendare amerikane e punk rock-ut Patti Smith – poetja dhe figura e rëndësishme avangardë e skenës muzikore të New York-ut të viteve ’70 deri në ditët e sotme – u shfaq në mënyrë sonike në rreshtat e Kino Lumbardhit përmes një sinergjie krijuese misterioze me Soundwalk Collective.

Zhvilluar si një bashkëpunim i përbashkët midis themeluesit dhe artistit Stephan Crasneanscki dhe producentit Simone Merli, Soundwalk Collective punon me një gamë të gjerë artistësh dhe muzikantësh për të sjellë në jetë projekte specifike zanore, duke eksploruar tema konceptuale, literare dhe artistike. Tanimë e përforcuar si një platformë bashkëkohore e artit zanor, qasja multidisiplinare e Crasneanscki dhe Merli hap mundësi të reja për bashkëpunim midis imazhit dhe zërit. Në një mënyrë multisensoriale mjaft joshëse, Soundwalk Collective krijon potenciale të reja të rrëfimit për muzikën në instalacionet artistike, si dhe në formate të tjera krijuese si vallëzimi, muzika dhe filmi.

Në një projeksion special që s’ka të dytë në emrin e tij, Soundwalk Collective paraqiti fragmente nga filma të shkurtër të ndryshëm, shoqëruar me të ashtuquajturat “Korrespondencat e Patti Smith” – një set unik poezie të murmuritur, folur e kënduar nga vetë artistja. E njohur për poezinë e saj të fuqishme të mbushur me imazhe therëse fetare dhe artistike, zëri i Smith mbushi hapësirën e Kino Lumbardhi për më shumë se dy orë në atë që mund të përjetohet vetëm si një moment bashkëjetese meditative. E kombinuar me pjesë filmi të papublikuara më përpara të Tarkovsky-t dhe Pasolini-t, si dhe imazhe të nxjerra nga arkivi i Jean-Luc Godard e të tjerë, Patti Smith hapi dyert psikës së saj të brendshme me thirrje ujqërish, princa lotësh, zjarre të egër – gjithçka dhe gjithçka njëherësh – në atë që mund të perceptohet vetëm si një korrespondencë me zërat e ndërgjegjes, thellësitë e tokës dhe qenie shpirtërore më të larta që banojnë në pore lëkure. Me një shoqërim muzikor minimal të përbërë nga gongje, tubë dhe sintetizatorë të qetë, zëri i Smith rezonoi si një profet që sjell shkatërrim dhe rilindje përmes imazheve në ekranin e madh, duke arritur gjer në hapësirat midis karrigeve të kinemasë.

Nga: Enxhi Noni

Foto: Elmedina Arapi