06/08/2024

Jetën e një çifti të moshuar në fshatin Vërnakollë e ka përcjellë me ngashëri Sovran Nrecaj në filmin e tij të shkurtër Fran dhe Verka; ose një ditë e zakonshme në një fshat të braktisur. Vendimi i regjisorit për ta shpalosur vetminë e dyshes në ambientet shtëpiake e pastaj përmes punëve të zakonshme të ditës i shkon mirë jetës së ngadaltë, tipike për fshatin. Si të vetmit që popullojnë këtë zonë të braktisur, Frani dhe Verka kanë një temp të vetin. Kryejnë punët e përditshme, përgatisin kafen ose bashkë dëgjojnë radion në mbrëmje. Nuk u ngutet për asgjë. Fshati është i tyre.

Në këtë portretizim të shtëpiakëve të fshatit, nisa të mendoja për përkatësinë. Çfarë e bën këtë çift të vazhdojë të jetojë akoma këtu, në këtë vend të braktisur? Vendosmëria e tyre është aq e admirueshme, por dhembshuria mbizotëron. Me qasjen dokumentuese, regjisori ka qenë i durueshëm dhe nuk ka ndërhyrë fare në ditët e tyre të qeta, ndoshta për të treguar se realiteti i tyre është shumë më ndryshe në këtë fshat të izoluar. 

Ata vazhdojnë të jetojnë në Vërnakollë. Ajo që krijon përshtypje të forta është se herë pas here, natyra sikur shkrihet në Franin dhe Verkën. Duke i parë nëpër fshat, na krijohet ideja se ata janë mishëruar e bërë një me këtë vend. Brendia e shtëpisë së tyre duket si një muze ku janë koleksionuar kujtime kolektive të një të harruare të largët, ose siç thuhet në fillim të filmit, ditëve kur fshati ishte i mbushur plot dhe dasmat vazhdonin nga një javë. E kjo pjesë nuk më la pa e menduar kishën të mbushur, e mbase edhe kurorëzimin e tyre aty. 

Në vështrimin e tij, regjisori shpalos një realitet e cila ka nota të thella të pikëllimit por që ai reziston ta kuadrojë si të tillë. Mbase dëshira për të jetuar në shtëpinë tënde është më e madhe se izolimi jashtë saj. Në skenën e fundit, Verka e pret me buzëqeshje Franin dhe bashkë nisin të hanë darkën në një dhomë të ngrohtë me dekorime. Duket se janë kërshëndellat. Në këtë moment, gjithçka që përgjatë filmit dukej melankolike, merr formën e gëzimit të të qenit në shtëpi. Një vendim që duket se e kanë marrë të dy.

Nga: Blerta Haziraj

DOKUKINO PLATO 
Koha & Data
20:00 / E martë, 6 gusht 2024

KINO ABI ÇARSHIA 
Koha & Data
15:30 / E premte, 9 gusht 2024