05/08/2024
Këtë vit Dokunights janë konceptuar në tre skena të ndryshme duke i përdorur hapësirat e Doku Platosë, Kalasë së Prizrenit (Sonar Stage) dhe të Lumbardhi Bahçe për të sjellë çdo natë performanca që ndërveprojnë dhe i përshtaten specifikisht hapësirës, por edhe që vijnë mes punëve të ndryshme eksperimentale.
Të ulur në platonë gjysmë rrethore, e duke patur përballë ndërtesat që përvijojnë teposhtë rrugëve të qytetit, audienca mund të vërente dritat e stilizuara e të projektuara duke e shtrirë skenën edhe më përmes dritave.
Teksa audienca ishte e gjitha e ulur, ngadalë vjen Agona Shporta, e cila debutoi për herë të parë albumin e saj të ri “Hape Portën”, me 7 këngë të interpretuara dhe të punuara me ndërthurje mes këngëve të vjetra shqiptare dhe muzikës jazz. Agona rikthehet përmes perfomancës, ashtu siç e artikuloi artistja, në shtëpinë e saj të dytë në DokuFest.
Me formacionin muzikor me Tringa Sadikun në kitarë, Ilir Bajrin në piano, Enes Beun në bateri dhe Enver Muhamedin në bas, Agoni këndoi këngë nga albumi si dhe projektin e saj më të fundit “E dehur jam/Duhet të ngutemi”, një rimarrje e këngës e frymëzuar nga poezia e Xhevdet Bajraj, duke e veshur me elementë më intimë dhe të përzemërt.
Muzika tradicionale shqiptare përvijon në albumin e Shportës mes interpretimeve të cilat ja zgjojnë një areal të të përshpirtshmes, duke i dhënë gjithë dritën dhe fokusin zërit të saj, dhe poezisë së këngëve.
Atmosfera në Doku Plato e shfaqi atë rehati dhe këndellje kur muzika që ka rritur breza, e këngë të cilat i kanë kënduar jetës në dhimbje, maraz e dashuri, vijnë si rrëfime nga një e kaluar në të cilën duam të jetojmë dhe e njohim si pjesë të brendshme e çfarë jemi.
Perfomanca të tjera vijnë si pjesë e programit të DokuNights të kuruar nga Nita Deda dhe Leart Rama, ndaj ju sugjerojmë të ndiqni seksionin DokuNights në uebfaqen e DokuFest për të mos humbur asnjë natë.
Nga: Blerina Kanxha
Foto: Tughan Anit