06/08/2024

Gjatë 15 viteve të fundit, regjisorja Birgitte Stærmose ka ndjekur një rrugëtim krejt të veçantë dhe emocional, pasi ka njohu kastin që kur ishin shumë të vegjël në rrugët e Prizrenit, duke shitur cigare apo karta telefoni. Ajo mbrëmë ishte në Prizren me personazhet kryesor, jeta e të cilëve shfaqet në këtë dokumentar, i cili përshkruhet si një dëshmi perfomative e luftës që mbruhet brenda njerëzve edhe pasi ka mbaruar.

Ne ndjekim historitë e Xhevahires, Shpresimit, Gëzimit dhe Besnikut në të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, ndërsa ata flasin në vetë të parë, drejt e në kamerë, duke portretizuar ndjenjat, emocionet e tyre, mënyrën se si ata shtjellojnë lidhjet njerëzore dhe betejat e tyre të thella që rrjedhin nga pasojat e luftës.

Ne i shohim vazhdimisht personazhet që flasin drejtpërdrejt me kamerën, duke i besuar audiencës mendimet e tyre të brendshme dhe atë që mësuan aq ashpër në jetë. Kur janë të rrethuar nga njerëz, teksa vazhdojnë të ndjekin aktivitetin e tyre të palodhur të përditshëm, të lodhur nga pagjumësia dhe uria, flasin me zë të ulët, në pëshpërima, duke formësuar kësisoj mënyrën se si ata i ndërtojnë marrëdhëniet që kanë, mënyrën se si komunikojnë me atë që i rrethon në një mënyrë të ndjeshme dhe prekëse.

Të katër enden rrugëve të Prizrenit, duke qenë të vetëdijshëm se çfarë mund të ishte jeta, por edhe duke shfaqur një shpresë të pavdekshme për një ditë më të mirë. Ata i njohin vështirësitë, e dinë se çfarë u ka bërë atyre, dhe siç thonë shpesh, është e vështirë t'i shprehësh ato përvoja me fjalë, por megjithatë përpiqen të gjejnë dritën që do të çojë në një të ardhme më të mirë për njerëzit në jeton.

Në Kino Lumbardhi, në kinemanë e hapur, audienca e shumtë ndoqi këto përvijime emocionale në ekran si dhe mirëpriti pjesëmarrësit të cilët u ngjitën në skenë dhe shprehën se sa mirënjohës dhe krenarë ishin që ky film të shfaqej në Prizren, pasi ishte e rëndësishme për ta që t'i ndajnë historitë e tyre në qytetin që e njohin pëllëmbë më pëllëmbë.

Regjisorja e Afterwar, Stærmose foli pak më shumë për metodën dhe ecurinë e dokumentarit si vazhdim i dokumentarit "Out of Love", ajo filloi të rindiqte jetën e kastit dhe me kuriozitetin se si të rrëfente histori dramatike në këtë moment duke shpresuar se gjithçka do të shkonte mirë. Ajo foli për betejat dhe intensitetin e rrëfimit të këtyre fateve dhe se sa e rëndësishme ishte për të tregimi i këtyre historive, ndërsa theksoi se i gjithë ky proces u zhvillua në bashkëpunim të ngushtë me anëtarët e kastit.

Kjo ishte një natë shumë emocionuese në Kino Lumbardhi, duke shënuar edhe një herë rëndësinë e rrëfimit të historive, sado të vështira të jenë ato. 

Afterwar garon në kategorinë Balkan Dox dhe të gjithë të interesuarit mund ta shohin më 10 gusht, duke filluar nga ora 15:00 në Doku Kino.

Nga Blerina Kanxha

Foto: Luka Knežević Strika