05/08/2024

Ekspozita “Connecting the Dots” jo vetëm sjell materiale arkivore jugosllave mbi filmin apo reflektime me valën e re të kinematografisë në Kosovë, por është edhe një prodhim i një bashkëpunimi mes hulumtuesve kosovarë dhe serbë. 

Bengi Muzbeg, Tevfik Rada (Kosovë) dhe Ivona Djurić dhe Radiša Cvetković (Serbi) kanë punuar në fronte të ndryshme për të rehabilituar një kronologji të zhvillimeve kinematografike, por edhe një pamje më të thelluar mbi impaktin e të hulumtuarit e kësaj historie duke e rigrupuar në forma të ndryshme si instalacione, publikime dhe materiale audiovizuale që shërbejnë si dëshmi e një pune të bërë që kërkon ripamje për të vijuar në mënyrë më të qëndrueshme dhe më me rezultat. 

Kjo ekspozitë vjen si rezultat i bashkëpunimit të Beldocs dhe DokuFest, por edhe programeve rezidenciale që u mundësuan katër hulumtuesve të qëmtonin arkivat dhe të kishin një parapamje më të detajshme të historisë së skenës kinematografike gjithnjë e në marrëdhënie të ndryshme gjeografike, shoqërore dhe artistike. 

Puna e Muzbeg dhe Rada fokusohej në mënyrën se si ndërtohet një arkiv online dhe mundësinë për të patur një databazë prej nga mund të shikohen në kronologjik e mandej sociologjik dhe historik se si janë zhvilluar punimet në kinema, që do të thotë, se cilat kanë qenë hapësirat ekspozuese, rishikimet mbi programin dhe mënyrën se si janë receptuar filmat në shkrim dhe jo vetëm. Kjo punë e bën të shkuarën të rikthehet me një jetë të dytë në të tashmen duke patur edhe qasje ndërdisiplinore të frytshme. 

Zine e Ivona Djuric, hulumton dhe paraqet kërkimin mbi valën e re kosovare të filmave të përfaqësuar nga regjisore gra të cilat kanë njohur suksese të jashtëzakonshme në botë. Punimi i tyre ndalet si në aspektet procedurale dhe prodhimtare si dhe në mënyrën se si ndërtohen narrativët, qasjet ndaj strukturave si politike si shoqërore duke dhënë një formë se si mund të shpërndahet kjo njohuri e mbledhur nga proceset e kërkimit dhe të kuptuarit e konteksteve. 

Dhe më së fundi ndalemi te punimi i Radiša Cvetković me Kino Memories, duke ofruar me zë dhe figurë forma mes të cilave rigjallërohet memoria dhe kontekstet historike që përvijojnë në shumë forma, por jo gjithmonë mjaftueshëm sa të mos biem në grackën e përsëritjeve të përvojave. 

Siç u theksua dhe në hapjen e ekspozitës, ky bashkëpunim vendos një fokus themelor në ndërtimin e  urave të punës dhe hulumtimit për t’i shërbyer përtypjes dhe shpërndarjes së njohurive në skenën kulturore për të gjithë ata që jo vetëm janë kuriozë, por edhe për të mbetur si një dokumentim i një pune që duhet të vijojë. 

Mund ta shihni ekspozitën në hapësirën e Shani Efendi ku mund të merrni me vete e të lexoni zinen mbi valën e re kinematografike kosovare. 

Nga: Blerina Kanxha

Foto: Agon Dana