03/08/2024
Më thanë se kam qëlluar jackpot-in. Shprehja amerikan për “isha me fat”. Kisha dëgjuar për Kosovën, e kisha parë në hartë, por kjo ishte gjithçka dija. Një nga shtetet më të reja në botë, një mike e SHBA-së në zemër të Ballkanit. Kam qenë vullnetar i Korpusit të Paqes në verën e vitit 2023, dhe më dërguan si vullnetar në Kosovë në tetor, do të qëndroj për dy vite.
Quhem Scott Hoy, dhe pas arritjes në Prishtinë dhe ndjekjes së trajnimit, më dërguan në Prizren dhe më caktuan vullnetar në DokuFest. Atëherë, a janë DokuFest-i dhe Prizreni fat i mbarë apo çfarë? Do të pajtohesha! Nga të gjitha vendet e botës që do të mund të kisha shkuar, nuk e imagjinoj dot një vend më të mirë, Prizreni ky qytet historik, plot gjallëri, piktoresk, i rrethuar nga Malet e Sharrit.
Sa më shumë që mësoj për DokuFest-in, aq më i impresionuar jam. DokuFest është një histori suksesi, dëshmi e fuqisë së ëndrrës, dhe e asaj se çka mund të arrijnë një grup i vogël njerëzish, nëse vetëm vazhdojnë përpara e nuk heqin dorë. Duke menduar se është festival që zgjat 10 ditë, pyesja veten për pjesën tjetër të vitit. DokuFest është organizatë që funksionon gjatë tërë vitit, duke trajnuar regjisorë dhe duke ofruar një platformë për artistë, duke ndikuar kështu në shumë jetë, të reja e të vjetra, nëpër mbarë Kosovën.
Që kur kam filluar në DokuFest, kam punuar ngushtë me Eroll Shportën, energjia e të cilit për jetën, Prizrenin e DokuFest-in është legjendë. Ai më dha emërtimin “Amerikani miqësor” i cili ka filluar të më ngjitet. U mirëprita në ekipin e DokuFest nga Linda dhe Vetoni, dhe më dhanë një punë. Gjatë festivalit do të punoj për DokuStories për të dokumentuar përvojat dhe mendimet e regjisorëve, producentëve dhe pjesëmarrësve. Gjithashtu do të flas me vullnetarë, staf e vizitorë, të cilët do ta përjetojnë festivalin, disa prej të cilëve për herë të parë, njësoj si unë.
Do të përpiqem t'i shtoj disa nga penelatat e mia në këtë vepër të gjallë arti, DokuFest. Për të shfrytëzuar në maksimum lumturinë time, fat i papritur. Nëse më sheh dhe dëshiron të tregohet historia jote, më flit. Do të jem vërdallë, duke u përpjekur t’i jap jetë pseudonimit tim Amerikani miqësor. Do ta vëreni se jam nga Amerika, nga Kanzasi dhe nuk flas shqip shumë mirë. Unë flas vetëm zhargonin e shqipes, madje edhe atë e shtrembëroj pa e ditur. Pra, nëse ju pëlqen të qeshni shumë, më bëni të flas shqip!
Nga: Scott Hoy
Foto: Furkan Çelik