11/08/2023
A mund të jetë filmi i shkurtër një karrierë? Kjo pyetje bëri bashkë panelistët e kësaj të enjteje në DokuTalk. Nën moderimin e Dea Gjinovcit ata ndanë perspektivat e tyre nisur nga eksperienca dhe natyrisht pikëpamjet e tyre si profesionistë të filmbërjes.
Douwe Dijkstra, Nina Rodríguez, Mathieu Janssen dhe Sanne Jehoul ishin të ftuarit e këtij paneli që diskutoi rreth një pyetjeje tejet të rëndësishme.
Siç u diskutua edhe nga panelistët, të mbijetuarit dhe të jetuarit duke bërë filma të shurtër duket se është sfiduese në shumë vende. Sfidat me të cilat përballet industria dhe filmbërësit nuk janë aspak të vogla, aq sa herë- herë kthehen edhe në pyetje ekzistenciale, rreth të vijuarit apo jo një karrierë në filmbërjen e filmave të shkurtër.
E megjithatë duket se ka shpresë. Natyrisht që ka shpresë, për aq kohë sa filmat e shkurtër vijojnë të bëhen dhe do të vijojnë të bëhen. Por politikat mbështetëse duket të jenë ato që në rastin më të mirë ndihmojnë situatën dhe filmbërësit.
Një model që aplikohet në një sërë vendesh me seriozitet dhe vendosmëri. I tillë mësa duket është rasti i Hollandës, që u soll në vëmendje nga Douwe Dijkstra.
“Dua të them se strukturat e mbështetjes në Hollandë janë ekzistente dhe tani kam filluar t'i përdor ato. Mendoj se është një bisedë kaq interesante për shkak të këtyre strukturave, për shembull, festivalet e filmit dhe distributorët dhe gjithashtu financimi i filmit. Ata punojnë me të gjitha këto struktura, dhe gjithashtu këto etiketa si filmi i shkurtër, dhe me gjatësi të mesme dhe, dhe të gjitha këto gjëra. Për mua, është gjithmonë një lloj konflikti midis qenurit artist apo regjisor. Dhe dikur nuk isha fare në dijeni të tyre dhe i njoha me filmin tim të parë. Filmi im i parë ishte fillimisht një video-instalim në tre ekrane që nuk mund ta shfaqësh vërtet në një kinema, por më pas pati një festival filmi që më pyeti, a mund të kthehet edhe një film në një ekran dhe më pas mendova që po, nëse e kthej në një film në një ekran, atëherë mund të jetë i përshtatshëm edhe për festival filmi.”
Diskutimi i kësaj të enjteje mbajti për rreth një orë të interesuar të pranishmit të cilët gjithashtu u bënë pjesë të interaktivitetit të bisedës. Kjo e premte rezervon në DokuTalk një tjetër takim, me filmbërës, këtë herë për të folur në një formë më intime.
Nga: Ana Haxhimali
Fotografia: Agon Dana