06/08/2023

Filmi pati premierën e tij botërore mbrëmjen e kësaj të shtune në DokuFest dhe shfaqja e tij u shoqërua edhe me një sesion pyetje përgjigje mes regjisores Tea Vidovic Dalipi dhe audiencës.

Filmi merr shkas dhe zhvillohet mbi një ndodhi personale të jetuar e të shtrirë në periudhën kohore të dhjetë viteve. Vetë regjisorja kroate Vidovic, 10 vite më parë, zgjodhi të ndante jetën me Mirsadin, një djalë i komunitetit Rom nga Ferizaj. Me martesën e tyre nis një kalvar shkëmbimesh e situatash të cilat herë-herë duket sikur i takojnë absurdit.

Dy të rinj nga dy kontekste të ndryshme shoqërore dhe kulturore me dëshirën për të zhvilluar bashkë jetën e tyre si një çift i martuar, mes perspektivave të ndryshme të dy familjeve, përjetimeve të tyre personale dhe opinionit.

“Snajka: Diary of Expectations” ia doli të tejkalonte pa dyshim pritshmëritë e publikut në premierën e tij, duke u shoqëruar nga ovacione të zgjatura dhe pyetje nga të gjithë kureshtarët.

E pyetur nga të pranishmit në sallë regjisorja tregoi se si ishte përpjekur të dokumentonte përmes filmimeve momente të rëndësishme të jetës së saj bashkëshortore, duke u përpjekur të ruante një baraspeshë mes dëshirës për të sjellë një material kinematografik dhe nevojës për të ruajtur një etikë duke mos ekspozuar tepër nga jeta e personazheve.
Vidovic u shpreh se editimi i filmit ka zgjatur rreth një vit duke përfunduar në disa variante paraprake. Në variantin final janë prerë një sërë skenash të cilat sipas saj mbingarkonin filmin dhe preknin privatësinë e personazheve të tij realë.

Më shumë se një narrativë në jetën e një çifti, filmi është një thirrje ndërgjegjësimi për mënyrën se si njerëzit e shohin njëri-tjetrin, për të gjetur pikat e përbashkëta e për të zhvilluar jetesën në komunitet pavarësisht ndasive që në fakt jetojnë vetëm në mendjen e gjithsecilit prej nesh. Vërtet, a ekzistojnë diku tjetër ndasitë mes njerëzve?

Nga: Ana Haxhimali

Fotografia: Elmedina Arapi