07/08/2023
Në qytetin magjepsës të Prizrenit në turmën masive të njerëzve rreth e përreth qendrës, lehtësisht mund të identifikohen të rinjtë me bluza të kaltra, që edhe sivjet i japin ngjyrë edicionit të 22-të të DokuFestit.
Bluzat e kaltra janë vetëm njëra prej shenjave që i veçon vullnetarët e festivalit më të madh të filmave në Kosovë. Të hareshëm e me buzë në gaz, ata tregojnë përvojat dhe eksperiencat e tyre të deritanishme të angazhimit në festival.
Tomor Jahjaga është njëri prej qindra vullnetarëve të DokuFestit. Rrugëtimi i tij filloi kur erdhi viteve të shkuara për të parë filma në kinematë e DokuFestit, e me pas iu shtua dëshira që të jetë sa më afër festivalit. “Për herë të parë jam angazhuar si vullnetar në DokuFest në Departamentin e Eventeve. Edicionet e kaluara kam qenë audiencë dhe kam shikuar filma”.
Të njëjtin transformim prej një shikueseje e më pas kthimin në një vullnetare e ka edhe Jona Shporta, e cila në edicionet e kaluara ishte në pjesën e publikut.
Jona tregon për miqësitë e krijuara në DokuFest si dhe për atmosferën gjatë ditëve të festivalit. “Gjëja më e mirë në DokuFest është ardhja e njerëzve të rinj, shoqërimi me ta dhe krijimi i hapësirave për artistë qoftë për dokumentarë qoftë për muzikë. Sa herë kam ardhur në DokuFest kam bërë shoqëri të reja që ende vazhdojë t’i kem”, tha ajo. Jona e ka përshkruar si të lehtë komunikimin dhe bashkëpunimin me mysafirët e festivalit. “Shqiptarët njihen që janë të shoqërueshëm dhe mikpritës, andaj ia vlen”.
Mikpritjen dhe energjinë e ka vërejtur edhe vullnetarja tjetër nga Anglia, Gwendy Davenport. “Gjëja e parë që më ra në sy që kur kam ardhur ishte energjia pozitive e njerëzve, këtu kishte shumë gjallëri, atmosferë’, u shpreh ajo.
Edhe Gwendy si moshatarët e saj vullnetarë që po vazhdojnë të punojnë për ta bërë sa më madhështor DokuFestin, vitin e kaluar ishte vetëm publik. “Vitin e kaluar isha në DokuFest për të parë filma, pastaj takova vullnetarë dhe i pyeta për vullnetarizmin në këtë festival, më thanë që ishte gjë e mrekullueshme, andaj doja të jem edhe unë një nga ta”. Bashkë me DokuFest, Gwendy dëshiron që të mësoj më shumë për Kosovën dhe kulturën vendore.
E DokuFest ofron një platformë të gjerë për përvoja dhe shkëmbime kulturore.
Nga: Valona Hasani
Fotografia: Agon Dana