07/08/2023
Një ditë regjisori Armel Hostiou zbulon se ka një llogari të dytë në Facebook: një Armel i rremë që ka foto të vërteta të tij dhe shumë mike femra, të cilat të gjitha jetojnë në Kinshasa. Armeli i rremë i fton ato në audicion për filmin e tij të ardhshëm, i cili supozohet se zhvillohet në Republikën Demokratike të Kongos. Përballë pamundësisë për të mbyllur këtë llogari, regjisori vendos të shkojë në kërkim të sozisë së tij. Si rezultat i këtij rrugëtimi, ai krijoi dokumentarin e metrazhit të gjatë “The Other Profile”, i cili përfshin një kërkim me shumë momente qesharake, por edhe shumë çështje për t'i menduar.
Filmi u shfaq në DokuFest të dielën, pasuar nga një seancë pyetjesh dhe përgjigjesh me regjisorin Armel Hostiou, i cili shpjegoi idenë fillestare për realizimin e këtij filmi.
“Kur zbulova këtë profil të rremë, nuk kisha asnjë ide për realizimin e filmit. Reagimi im i parë ishte mbyllja e kësaj llogarie. Kontaktova Facebook-un, i njoftova për vjedhjen e identitetit dhe mendova me naivitet se mund të zgjidhej shpejt. Kur mora përgjigjen nga Facebook, dy javë më pas, duke më thënë se kjo nuk ishte një llogari false dhe se nuk do të mbyllet, më dukej si fillimi i një skenari, për një film absurd apo të çuditshëm. Ishte si një thirrje për ta bërë këtë film.”
Sipas tij, filmi ka të bëjë shumë me logjikën e palogjikshme.
"Në romanin "Sozia" të Dostojevskit personazhi kryesor zgjohet në mëngjes në Shën Petersburg dhe zbulon se e ka sozinë e tij në qytet dhe se ai bën të njëjtën punë. Ngadalë zbulon se sozia i bën gjërat më mirë se ai. dhe askush nuk shqetësohet se ai ka një sozi...Ka diçka që më ka pëlqyer në këtë absurditet, në konceptin e sozisë, kështu që është diçka që unë e kam ndërtuar gjatë xhirimeve... Ideja në fund është pak si në Romanin e Dostojevskit ku sozia im e merr filmin dhe e bën atë më të mirë se timin.”
Regjisori Armel Hostiou i tha publikut se filmi përmes personazheve, muzikës, peizazhit dhe ngjarjeve prek çështjet e kolonializmit dhe shfrytëzimit, të cilat sipas tij nuk kanë mbaruar ende dhe vazhdojnë ende në mënyra të padukshme.
Ai po ashtu ka pranuar se llogaria e rreme funksionon ende por nuk njofton më për audicione, ndërsa me sozinë e tij, Cromix, është në kontakt të vazhdueshëm, edhe për shfaqjen e filmit në Prizren.
Fotografia: Tughan Anit