11/08/2023

Një kinema e tërë e mbushur me spektatorë mbeti e shtangur pas shfaqjes së filmit “20 Days in Mariupol”. Tmerret e një lufte që në kontekstin gjeografik dhe njëherazi kohor është kaq e afërt, erdhën brutalisht të gjalla përmes filmit dokumentar që u shfaq mbrëmjen e kësaj të enjteje në Lumbardhi Bahçe.

Filmi i Mstyslav Chernov ndjek rrjedhën kronologjike të mizorive që ndodhin në 20 ditët e luftës, teksa forcat ruse duan të marrin qytetin. Ditët që pasojnë njëra- tjetrën teksa çnjerëzorja kapërcen edhe kufijtë e të paimagjinueshmes.

Për këdo është e pamundur të mos ketë ndjekur qoftë nga mediat e huaja apo edhe ato më lokale zhvillimet e asaj pranvere. Filmi është një përmbledhje një dëshmi e dhënë me zë dhe me figurë e të gjithë atyre imazheve, të gjithë videove dhe shkrimeve përmes të cilave bota mundi të mësojë çfarë po i bëhej një populli.

Narratori ndan përjetimin e tij personal, pasi ka shkuar në ferr e ka mundur të dalë i gjallë nga aty, por në atë ferr ka parë me sytë e tij se si i është prerë jeta foshnjave të sapolindura, nënave lehona, se si zemrat e fëmijëve kanë pushuar së rrahuri teksa prindërit shkreheshin në ulërima e askush nuk i dëgjonte.

Varret masive me varrmihës të cilët gërmojnë e gërmojnë, për të varrosur të vrarët e një situate apokaliptike.

Është e pamundur të mund të veçosh se cila skenë e këtij dokumentari është më e kobshme. Dokumentari është i kobshëm ndaj për të u zgjodh të mos pipëtinte asgjë. As në përfundimin e tij, mbase për të nderuar të vrarët, mbase nga shoku i pësuar, mbase sepse për disa momente të gjithë menduan se teksa përplasin duart asgjë nuk i zhbën dot krimet monstruoze që kanë ndodhur...

Nga: Ana Haxhimali 

Fotografia: Malda Lika