08/08/2023
Të jesh a të mos jesh vetvetja? Kjo pyetje mundoi mrekullisht mirë audiencën që zgjodhi të shihte filmin “Queendom” në kinemanë “Lumbardhi” pasditen e kësaj të hëne. Historia e Gena, një artist dhe performues queer nga Rusia dhe kalvari i mundimeve të tij për të qenë vetvetja në një shoqëri që e përbuz.
Historia fillon me dëshirën e artistit për të qenë ai që është, një instalacion i gjallë që lëviz rrugëve të qytetit, i veshur me kostume që bërtasin individualitetin e tij. I kushtëzuar për të jetuar një jetë të dyfishtë, atë të një individi që ditën I duhet të sillet si masa, për t’u shkrirë me të e për të jetuar jetën normalisht, ndërsa natën një “krijesë” e ardhur nga një tjetër dimension që tërheq vëmendjen e kujtdo që në mënyrë të vullnetshme apo të pavullnetshme i hedh sytë.
Një tjetër anë tejet e veçantë që filmi trajton është edhe marrëdhënia e personazhit kryesor me njerëzit e afërt dhe dëshira e dhunshme e tyre për ta zhveshur artistin nga individualiteti i tij. Disbalancat mes brezave dhe mendësive marrin formë e tregohen konkretisht përmes situatave të jetës së përditshme që personazhi kalon. Kur flet me gjyshin e tij në telefon, kur bën pazarin në supermarket, kur shkon në shkollë, kur kërkon të endet si një qenie e lirë në botën që i përket atij njësoj sa i përket kujtdo tjetër.
Nuk paska të drejtë njeriu të jetojë në termat e tij?
“Queendom” është asgjë më shumë, asgjë më pak se sa një klithmë, e heshtur dhe e fortë për të pranuar veten, realitetin, individualitetin e tjetrit edhe në qoftë ai është tërësisht i ndryshëm nga bota që është mësuar t’i serviret.
Të jetosh në termat e tu, pa i bërë askujt keq? Çfarë tjetër është më e drejtë humane se kaq?!
Nga: Ana Haxhimali
Fotografia: Kushtrim Haxha