12/08/2023
Filmi “Q” për një orë e gjysmë mbajti publikun të përqendruar para ekranit në DokuKino.
Dokumentari i regjisores Jude Chehab përshkruan ndikimin tinëzar të një rendi fetar të fshehtë matriarkal në Liban mbi tre breza grash në familjen Chehab. Ky krijim dokumenton fuqishëm lidhjet e pathëna dhe pasojat e besnikërisë që kanë lidhur nënën, gjyshen dhe veten e saj me organizatën misterioze.
Regjisorja me doemos dëshironte të zbulonte detaje të grupit Al-Qubaysiat, një organizatë sekrete e grave muslimane, e cila qëndronte në mënyrë stoike për t’u mos u zbuluar.
Regjisorja merr një kamerë në dorë dhe fillon ta pyes gjyshen dhe nënën e saj rreth historikut të grupit dhe për mësuesen që punonte aty.
Pyetjet që u bën gjatë këtij dokumentari shpalosnin ndikimin jashtëzakonisht të madh që ky grup kishte në gratë që e praktikonin fenë Islame.
“Q” shpjegon edhe se si gratë ishin të manipuluar tinëz nga ky grup matriarkal në Liban.
Përveç kësaj shpalosen edhe përjetimet e nënës së Chehab-it, ku ajo ishte lidhur emocionalisht pas një gruaje që ishte mësuese në atë komunitet.
Një shoqëri e sinqertë vetëm prej njërës palë e çon në vuajtje të mëdha nënën e Chehab-it.
Përmes filmit, Jude Chehab arriti t’i zgjidh nyjat e një dashurie të pakthyeshme ndaj mësueses që refuzonte ta vazhdonte miqësinë më nënën e saj.
Regjisorja theksoi se pas publikimit të filmit nëna e saj u paragjykua.
“Pas shfaqjes së filmit, njerëzit në rrjete sociale, shkruajnë gjëra për nënën time, duke thënë se ajo shiti fenë e saj për tapetin e kuq”.
Filmi është xhiruar duke rrëfyer në privatësi jetën e familjes së saj të prindërve dhe gjyshes, një tregim ky që i përket kulturës arabe.
Aty shikuesi mund ta dallojë ndikimin e fuqishëm që ky grup ka pasur në këtë familje, por që megjithatë marrëdhëniet brenda familjes kanë mbetur të pathyeshme, me mirëkuptim të madh për njëra-tjetrën.
Nga: Valona Hasani
Fotografia: Kushtrim Haxha