11/08/2023

Punëtorët në industritë e rënda e dinë se jeta personale dhe profesionale lidhet në kufi të mbijetesës. Në kategorinë Green Dox, pamë në DokuKino, “Nuclear Nomads” me regji të Kilian Armando Friedrich, me të cilin patëm rastin të bisedonim me të pas shfaqjes së filmit. Ne ndjekim protagonistët e këtij dokumentari: Marie-Lou, Florian, Jerome dhe Vincent të cilët punojnë si nën-kontraktorë me industrinë franceze të energjisë bërthamore. Secili prej tyre, me një sfond të ndryshëm, përpiqet të sigurojë jetesën në një industri të rrezikshme. Rreziku i ekspozimit ndaj rrezatimit është një problem i pashmangshëm që ndikon në jetesën e tyre, ndërsa nga ana tjetër, nevoja për kontakt njerëzor shprehet si një thirrje për ndihmë.

Regjisorii i Nuclear Nomads shprehu besimin se ky dokumentar mund të ishte realizuar për çdo industri të rëndë duke hapur perspektivën e të kuptuarit të gjithë forcës njerëzore që banon në heshtje për të siguruar nevojën bazë për të tjerët dhe veten e tij: energjinë elektrike dhe të ardhurat.

Çështja e të drejtës për jetë private reflektohet në mënyrë të plotë brenda dokumentarit, ndërkohë që marrëdhëniet bëhen të vështira për t'u mbajtur, ndërsa pyetja qëndron në mendje:  çfarë bëjnë ata pasi mbarojnë punën? Ndërsa ne ndjekim, ne e dimë se ata do të fillojnë të punojnë përsëri duke u kthyer kësisoj një rreth vicioz i dëshirës për të dalë nga kushtet e këtilla të punës e rikthimit në një jetë më normale.

Ndonëse tema është delikate, ishte e vështirë të bindeshin protagonistët të merrnin pjesë në këtë dokumentar, por ajo që e shtyu stafin e këtij filmi për të realizuar këtë bashkëpunim, ishte këmbëngulja për të treguar këtë histori vështirësish. Krijimi i besimit ishte një domosdoshmëri dhe ne mund ta lexojmë dokumentarin përmes kësaj lente: një aparat fotografik që pushtohet dhe zhytet në jetën e personazheve.

Kolonat zanore të përdorura në këtë dokumentar vendosin tonin e bërë veçanërisht në mënyrë që të pasqyrojë historitë e tre protagonistëve dhe të shtojë thellësi në mënyrën se si ne e perceptojmë atë dhe regjisori shpjegoi se një muzikant është marrë me dedikim për të përshtatur historitë me ndjesinë që përcjellin.

Regjisori shpjegoi më shumë se si vendosi të xhironte këtë dokumentar pasi kërkonte një nivel të madh vëmendjeje. Protagonistët shpjegojnë se sa e vështirë është të kalosh duke bërë një punë të tillë çdo ditë, ndërkohë që ekziston gjithmonë rreziku për t'u ekspozuar ndaj rrezatimit radioaktiv. Procedurat i dëmtojnë ata sepse i pengon ata të planifikojnë jetën e tyre sipas dëshirës së tyre. Nga ana tjetër, gjatë xhirimeve, ishte që të mirëpriteshin të gjithë në hapësirat e tyre private, dhe të qenit i respektueshëm ishte një pjesë thelbësore e procesit.

Ishte kënaqësi të dëgjonim regjisorin teksa na njohu prapaskenat e këtij dokumentari të rëndësishëm. Këtë dokumentar të gjithë mund ta shikoni sonte (11/08) nga ora 22:00 në Sonar Cinema në Kalanë e  Prizrenit.

Nga: Blerina Kanxha

Fotografia: Malda Lika