06/08/2023

DokuNights i dedikohet të gjithë atyre, të cilët kanë ardhur në DokuFest për të shijuar një festival kompleks në tërësinë e tij. Pas gjithë kënaqësive që të dhuron qëndrimi në Prizren, një ditë fantastike përfundon gjithmonë në Andrra Stage. Është e pamundur të mos udhëhiqesh nga njerëzit, të cilët drejtohen për në DokuNights menjëherë sapo afron mesnata.

E tillë ishte edhe mbrëmja e djeshme, një e shtunë elektrizuese që mbushi arenën e DokuNights dhe ngjiti në skenë tre artistë të jashtëzakonshëm të muzikës elektronike, secili më unik se tjetri.

Higher Intelligence solli për publikun një eksperiencë të jashtëzakonshme. Një shkrirje e disqeve me muzikën elektronike që ja doli të ngrohte zemra e secilit të pranishëm dhe të përgatiste këdo për një natë të gjatë e vibruese muzikore.

E teksa nata vijoi intensiteti i kënaqësisë që të falte muzika sa vinte e rritej. Interstellar Funk mbërtheu audiencën duke i dhuruar asaj një tjetër dimension muzikor, atë të bashkimit të të resë me të vjetrën. Ritmet e albumit “Into the Echo", i publikuar në Dekmantel në 2022 ia dolën të transportonin publikun edhe një herë tjetër në vise të largëta, imagjinare që muzika e Interstellar Funk t’i sjell aq të gjalla sa për t’i besuar.

Mbrëmjen e mbylli mjeshtërisht DJ Gent Vargmal. Një djalë nga Kosova që pasionin dhe dashurinë për muzikën elektronike ka filluar ta zhvillojë 10 vjet më parë. Nga Andrra Stage, Gent Vargmal dukej sikur e njihte gjithsecilin nga turma, duke unifikuar dëshirën e saj për të kaluar një mbrëmje fantastike dhe duke i dhuruar asaj qershinë mbi tortën e një nate tjetër të paharrueshme në DokuNights.

Nga: Ana Haxhimali

Fotografia: Kushtrim Haxha