11/08/2023
Në filmin e regjisorit Iván Andres Simonovis Pertínez dokumentohen padrejtësitë ndaj babait të tij, që ishtë një oficer i lartë në policinë e Venezuelës.
Një djalë i ri kishte pasion për incizimet me kamerë respektivisht për filmim dhe dokumentim. Teksa ngjarjet në familjen e tij rrodhën në mënyrë jo të rëndomtë, me qëllim që ta vërtetojë padrejtësinë e sistemit të drejtësisë në Venezuelë, ai vendosi që këtë ta faktonte përmes një dokumentari, kushtuar babait të tij. Iván Simonovis, padrejtësisht u dënua me 30 vjet burg për vdekjen e 19 personave, të vrarë në demonstrata derisa 27 të tjerë u plagosën.
Familjarët e të dënuarit thoshin se ‘Asgjë nuk bëhet pa miratimin e presidentit’. Për këto vrasje presidenti i atëhershëm Hugo Chavez faturën ia preu Iván Simonovisit, oficer i rangut të lartë në Polici, dhe atë pa asnjë fletarrestim. Madje prej 196 dëshmitarëve, asnjëri nuk dëshmoi kundër tij.
Skenat e kapura nga kamerat gjatë qëndrimit në arrest shtëpiak u bënë bashkë si mister për ta realizuar filmin ‘My Father’s Prison’. I ndarë në katër pjesë, filmi fillon me një hyrje, pastaj pasqyron kohën para masakrës, pas saj dhe sjellë epilogun për kurdisjen e arratisjes.
Arresti shtëpiak ishte një torturë e madhe e cila shoqërohej me disa tinguj të dhimbshëm gjatë filmimeve. Këto momente përshkruhen me fjalët: ‘Në burg kujtimet të lëndojnë’.
Fundi i filmit njofton për arratisjen e ish oficerit të policisë. Ai thoshte që: ‘Edhe sikur të vdes gjatë arratisjes do të jem njeri i lirë’.
Pavarësisht që Iván Simonovis ishte një person që nuk meritonte të jetonte i mbyllur brenda katër mureve, ai padrejtësisht u mbajt për 15 vite nga dënimi i prerë prej 30 vitesh.
Regjisori Iván Andres Simonovis Pertínez që mban emrin e babait, u shfaq pas filmit për të biseduar me audiencën. Me këtë rast pohoi se i është dashur një kohë e gjatë për përmbledhjen e këtij filmi.
“Bëra 9 vite derisa e realizova filmin. Pandemia e bëri të veten, kështu që më është dashur ta shtyj pak”.
Ndër të tjerash tregoi edhe se si ishte ndier gjatë komunikimit me të atin përmes telefonit derisa ai ishte në burg. “Ishte shumë e vështirë për babin t’i shprehte emocionet, sepse ai ishte i ushtruar t’i fshihte ato. E thërrisja në telefon dhe e incizoja bisedën me të”.
My Father’s Prison është pjesë e kategorisë garuese Truth Dox në DokuFest.
Nga: Valona Hasani
Fotografia: Agon Dana