09/08/2023

Të ndarit me publikun të rrugëtimit individual, duke e bërë gjithsecilin të pranishëm pjesë organike të bisedës mund të jetë sfiduese, por jo për Valérie Massadian. Filmbërësja dhe fotografja e jashtëzakonshme Armeno-Franceze të martën pasdite mbajti një master klasë në hapësirën e KinoKlubi e shoqëruar nga Pamela Cohn. Në fakt, fjala master klasë është një mënyrë shumë e thatë për të përshkruar ato dy orë në të cilat artistja e talentuar bëri për vete sallën e mbushur plot në të cilën nuk pipëtinte as miza.

Rrugëtimi i saj fantastik, nga fëmijëria e hershme në një fshat të Francës si një fëmijë emigrant tek përpjekjet e para në industrinë e kinematografisë, të cilën nëse e lidh me Valérie do të vinte keq ta quaje industri.
Biseda u shoqërua nga shfaqje të dy filmave të saj, përkatësisht “Mamoushka” dhe “Nana” si një formë për të njohur më mirë artisten e për të marrë shkas për t’i bërë asaj pyetje kureshtare.

Valérie rrëfeu se si për të, të gjeturit vetën në filmbërje nuk kishte qenë kurrë e qëllimshme dhe vijon të jetë një proces që asaj i vjen natyrshëm. Sipas saj më e rëndësishme se një skenar i mirë në filmbërje është vullneti dhe aspekti njerëzor që një kineast duhet të ketë.
“Kur përfundova post-produksionin e fimit “Nana” isha në Paris. Ora shënonte 4 e mëngjesit dhe menjëherë dola në rrugë dhe flisja me vete e lumtur, sepse nuk i kisha bërë keq personazhit”.

Filmi “Nana” ka si personazh një vogëlushe e cila jeton në një fshat, veprimet e saj tërësisht të shkujdesura përballë kamerës janë pikërisht ato për të cilat Valérie ishte kujdesur më së shumti. Sipas saj të drejtët njerëzore dhe të qenurit njeri e më pas filmbërës është aspekti më i rëndësishëm e duhet të jetë pa dyshim një ndër qëllimet primare. 

Master Klasa e kësaj të marte ishte pa dyshim një vlerë e shtuar në programin e aktiviteteve të këtij edicioni të DokuFest. Një reflektim dhe njëherazi një katarsis. Sa keq për ata që nuk e ndoqën… Ndoshta një herë tjetër. 

Nga: Ana Haxhimali

Fotografia: Kushtrim Haxha