10/08/2023
Një histori që hedh dritë mbi të kaluarën, mbi të tashmen mbi plagë dhe historinë që urojmë të mos përsëritet kurrë. Të kryesh detyrën edhe kur të duhet të dokumentosh situata të tmerrshme? Kjo është historia e Helena Ranta, por paralelisht historia e të gjithë atyre që punuan me mish e me shpirt, pa kursyer as jetën.
Historia fillon me një portretizim të udhëheqëses së skuadrës Finlandeze të ekspertëve mjekoligjorë, Helena Ranta. Pas luftës në Bosnje ajo e gjen veten në Kosovë, për të kryer me paanshmëri misionin e saj, sa të rëndësishëm po aq edhe human, për të çuar sado pak në vend nderin e atyre që u vranë në Luftën e Kosovës.
Një narracion që transmetohet përmes intervistave, me dëshmitarë njëherazi persona të përfshirë në çështje, ku në qendër qëndron Ranta, e cila jep dëshmitë e saj për situatën e asaj kohe, për ato që me sytë e saj dokumentoi. Një dokumentar që përpiqet të tregojë me objektivitet, duke dëgjuar dhe pyetur të gjithë palët, duke i dhënë atyre zë dhe figurë, pavarësisht asaj që kanë për të dëshmuar. Duhet apo nuk duhet të dëshmojnë.
Dokumentari nis nga një individ i vetëm me një mision sublim, përballë tentativave për të ndryshuar të vërtetën, përballë presioneve për të fshehur dhe shtrembëruar. Më pas historia zhvillohet e prek jetët e të gjithë atyre që kontribuuan, duke u bërë natyrshëm personazhe të saj.
Është tejet e vështirë, pothuajse e pamundur të shkruash në disa paragrafe peshën emocionale, njerëzore dhe çnjerëzore që 56 minutat e “Fragments of Humanity” përmbajnë.
Këtë u përpoq ta bënte edhe vetë regjisorja e filmit, i cili u shfaq si pjesë e programit “Special Screenings” në DokuPlato mbrëmjen e kësaj të mërkure. “Fillova të flisja me Helena Ranta për karrierën e saj dhe bëmë intervista të gjata dhe ajo shpjegoi të gjithë historinë. Që nga ajo pikë e tutje, fillova të bëj më shumë kërkime për atë që ndodhi me të vërtetë dhe çfarë ishte e mundur dhe doja gjithashtu, të gjeja kohë për të mundur dhe me të vërtetë për të mësuar për këtë. Ajo është një person shumë i afrueshëm, praktik që gjithmonë flet me paanshmëri. Duke intervistuar personin e dytë në histori mendova se duhet të tregoj edhe kompleksitetin e situatës duke sjellë këto dy figura në film. Mendova se duhet të tregoja konfliktin në mënyrë që edhe për shikuesin, të bëhej e kuptueshme”, tha regjisorja Rintala në sesionin pyetje dhe përgjigje pas përfundimit të filmit.
“Fragments of humanity” është më shumë se një dokumentar, një homazh, përmbushje e një përgjegjësie morale individuale dhe të përbashkët, për t’i treguar botës të kaluarën, sepse vetëm ashtu ajo nuk ka gjasë të përsëritet.
Nga: Ana Haxhimali
Fotografia: Agon Dana