05/08/2023
DokuNights është pikë kyçe për argëtim dhe për të kaluar një eksperiencë të paharrueshme në Prizren dhe mbrëmja e djeshme nuk ishte as më shumë e as më parë se sa një program muzikor që i përngjante një bombe me konfeti që nuk pushonte së shpërthyeri në gëzim mes tingujve çlirues, ngazëllues dhe ritmeve të fuqishme.
Shumë erdhën në Andrra Stage për të festuar nisjen e DokuFest që zgjati deri në agimin e ri.
Nata e kaluar ishte e gjitha rreth eksplorimit të asaj që mund të bëhet brenda kufijve të muzikës. Kur thonë se: ata që mësojnë rregullat dinë t'i thyejnë ato është më se e vërtetë dhe interpretuesit në Andrra Stage e dëshmuan pikërisht këtë gjë.
Peaches performoi në Prizren dhe ishte një shfaqje spektakolare! Nga ndryshimet e përpunuara të kostumeve, dhe koreografia ekspresive dhe ndërvepruese, tek bashkimi i të gjitha dëshirave më të thella: gjithçka u shkri në një kapsulë të ndjesive çliruese që shtrihen përtej trupit dhe muzikës. E njohur për performancat e saj shpërthyese, spektakli i mbrëmshëm, bashkoi audiencën ndërsa zhanret ndërthureshin, tingujt e shkrirë në një përzierje me narrativë të thukët dhe mbresëlënëse mbi se si të shijojmë dhe eksplorojmë veten përtej çdo kufizimi. Tekstet e saj janë të forta, magnetike dhe ngjallin vëmendje për shumë çështje sociale dhe njerëzore.
Rregulli i vetëm i festës është që vetëm të vazhdojë dhe STEFFI, një rezidente muzikore e Berghain dhe Panorama, doli në skenë mbrëmë për të luajtur një set elektrizues: të fuqishëm dhe optimist dhe një kujtesë e vërtetë se si muzika ndikon në gjendjen emocionale të atyre që duan të jetojnë jetën ashtu siç është. Receta e saj magjike e përzierjes së shumë stileve të elektronikës është ajo që i sjell të gjithë në pistën e vallëzimit duke krijuar një gjendje gëzimi që të mban lidhur me muzikën.
Më vonë, ndërsa rrezet e para të diellit sapo nisën të çonin drejt qiellit, Ivana Dragsic solli në skenë prekjen e fundit të fuqisë femërore dhe revolucionit muzikor.
Dragsic mes muzikës së saj ngre për çështje të rëndësishme sociale dhe trupëzon fenomene të ndryshme shoqërore si në një lajtmotiv për muzikën e saj dhe kjo përzierje kulturash e pasuron krijimtarinë e saj duke i dhënë fuqi dhe siguri.
Mund të themi vetëm këtë: duhej të ishe aty për të kuptuar lumturinë dhe lirinë që sinkronizoi audiencën e Andrra Stage mbrëmë.
Nga electro-break deri tek shumë valë house dhe tekno, nga përvojat gjithëpërfshirëse që i shtyjnë kufijtë deri në qiell, në momentet intime të kërcimit, ky formacion solli një përvojë të paharrueshme.
Le të jetë Dokunight! Shumë shfaqje dhe performanca të tjera do të pasojnë, e sonte (05/08) ejani në Andrra Stage për të dëgjuar Higher Intelligence Agency, Interstellar Funk dhe Gent Vargmal duke shtyrë kufijtë e asaj që mund të jetë muzika elektronike, në tinguj transcendental dhe surreal që hapin rrugën për krijimtari që fton këdo të kërcejë.
Nga: Blerina Kanxha
Fotografia: Esad Duraki