08/08/2023
DokuFest si zakonisht ka rezervuar programe të shumta për fëmijët. Shfaqje të filmave të animuar, punëtori e aktivitete fizike, po mbahen për vitin e dytë në ITP të Prizrenit.
DokuKids u dedikohet fëmijëve të moshave 6 deri në 17 vjeç ku më anë të aktiviteteve mësojnë t’i avancojnë njohuritë e tyre, sidomos në krijimin e animacioneve.
Programi i ndarë për grupmosha të ndryshme ka filluar prej ditësh dhe do të vazhdoj deri në mbylljen e edicionit të 22-të të DokuFestit. Nata mbyllëse e festivalit më të njohur për filma në Kosovë do të nxjerr në transmetim filmin e realizuar nga e fëmijët e DokuKids.
Zana Arapi-Xheladini, koordinatore e DokuKids tregon mënyrën se si u bë përzgjedhja e filmave të animuar për fëmijë.
“Këtë vit për kategorinë DokuKids kanë konkurruar 125 filma, ku prej tyre gati një numër jo shumë konsiderueshëm kanë mundur të përzgjidhen për DokuKids për shkak se janë disa kritere të cilat duhet të plotësohen për t’u pranuar një film. Por me garanci nga partnerët tanë të festivaleve të tjera kemi mundur t’i sigurojmë 7 programe për filma për DokuKids”.
Arapi-Xheladini shpalosi edhe programin për punëtori në bazë të grupmoshave.
“Kemi siguruar program për filma për moshën 6-9 vjeç dhe një program tjetër për moshën 10 deri në 14 vjeç. Janë shtatë punëtori të orientuar në film, krijim të filmave të animuar dhe një aktivitet ndryshe për t’i inkurajuar fëmijët në aktivitete fizike, sesionet e jogës me trajnerën Erza Vokshi, që ka filluar prej sot e do të vazhdojnë deri me datën 11. Punëtoritë janë të ndara në bazë të grupmoshave. Punëtoria më e avancuar, Animadoc u dedikohet moshave 14-17 vjeç, Stop Motion Animation për moshat 10-14 vjeç, Alfabeti i Animuar dhe Hanafina për 8 deri në 12 vjeç”.
Tutje ka bërë të ditur së ka pasur interesim të madh për këto punëtori dhe shfaqje filmash, më një numër rekord të aplikimeve, por që vitin tjetër do të merren masa për t’i rritur kapacitetet që të marrin pjesë edhe shumë fëmijë të tjerë.
Nart Kirajtani, pjesëmarrës i përvjetshëm në DokuKids, shijon aktivitet që po zhvillohen çdo ditë në hapësirat ITP-së.
“Aktiviteti që po më pëlqen më së shumti është që po mundemi t’i shikojmë filmat e animuar, joga, por edhe aktivitete të tjera që ndërlidhen me IA. Në DokuKids kam qenë edhe herëve tjera, që nga mosha 7 vjeçare”.
Në diskutimet e shumta i pyetur nëse ka filluar përdorimin e IA, Narti u përgjigj në mënyrë shumë interesante: “E përdori IA nëse më duhet ta pyes për ndonjë shkencëtar, si p.sh Albert Einstein, ose Elon Musk që ka bërë shumë gjëra të reja me IA”.
E aktiviteti më i pëlqyer i tij mbetet realizimi i filmit me kamerë për Inteligjencën Artificiale.
Të njëjtën mendim për filmin ndante edhe pjesëmarrësja tjetër në DokuKids, Dëbora Asllani. “Aktiviteti që më ka pëlqyer më së shumti ka qenë kur u deshtë të realizonim një film me letra, tema ishte për virusin, është dashur ta bëjmë luftë më të që ta shkatërrojmë. Më është dukur shumë interesant së sa shumë orë duhen për ta bërë një film 30 sekondësh”.
Aktivitetet e DokuKids do të vazhdojnë bashkë me DokuFestin deri me datën 12 gusht, ku do të jetë dita e fundit e edicionit të 22-të.
Nga: Valona Hasani
Fotografia: Malda Lika