05/08/2023
Të pagjeturit, ata që mungojnë, ata që janë në lista e s’janë në varre, ata që mbajnë zgjuar memorien kolektive të një kohe që kurrë mos ardhtë më. Për të 11-tin vit radhazi Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë në partneritet me Ambasadën Zvicerane dhe DokuFest përgatiti këndin e përballjes me të shkuarën, që ka në përbërje të tij një sërë aktivitetesh dedikuar kësaj teme të ndjeshme.
“Dealing with the past” hapi diskutimin e parë të DokuTalks. Nën moderimin e Dea Gjinovcit dhe me një panel të përbërë nga Dr. Arsim Gerxhaliu, përfaqësues i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Jan Baumgartner, regjisor dhe Lyuba Knorozak, producente u diskutua gjerësisht tema e gjetjes dhe hedhjes dritë mbi fatin e personave të pagjetur në tri kontekste, atë të Luftë së Kosovës, Bosnjës dhe luftës në Ukrainë. Ndonëse tri kontekste të ndryshme gjeografike dhe kohore, rrjedha dhe mënyra e përballjes më këtë plagë është tepër e ngjashme, pothuajse e njëjtë.
Dr. Arsim Gërxhaliu dha një pasqyrë të qartë të asaj çfarë ka ndodhur dhe vijon të ndodhë në kontekstin e Kosovës. Sipas tij dokumentimi është akti më i vyer për viktimat dhe familjarët e tyre, por rruga për zbardhjen e këtyre fateve nuk është aspak e lehtë. Sipas tij një ndër pengesat është dëshira e familjarëve të të pagjeturve për të mos e besuar fatin e të dashurve të tyre të humbur, teksa kalimi i procesit nga njëra dorë në tjetrën ka shkaktuar jo pak herë konfuzion dhe e ka bërë procesin akoma edhe më të vështirë.
Teksa për filmbërësin Jan Baumgartner të bërit një film lidhur me çështjen e të zhdukurve që në gjenezë has pengesa. Sipas tij mosbesimi, mungesa e dëshirës për të ndarë informacione të sakta bën që të devijohet dhe të pengohet dokumentimi i asaj që ka ndodhur në të kaluarën.
Kjo tezë u përforcua gjithashtu edhe nga producentja Lyuba Knorozak e cila duke iu referuar rastit të luftës në Ukrainë theksoi rëndësinë e bashkëpunimit mes hallkave për të bërë të mundur dokumentimin.
“Një popull që harron historinë e tij është i dënuar ta përsërisë atë,” u shpreh Dr. Gërxhaliu, duke theksuar edhe një herë rëndësinë e këtij dokumentimi.
DokuTalk i parë për këtë edicion pati një vëmendje dhe një pjesëmarrje tejet të lartë dhe pritet të vijojë i tillë deri në përfundimin e tij.
Nga: Ana Haxhimali
Fotografia: Elmedina Arapi