07/08/2023
Mbrëmja e djeshme gjeti audiencën e DokuFest në bahçen e Lumbardhit në shfaqjen e Ryoichi Kurokawa si pikënisje për natën e gjatë të DokuNights. Mes ekspolorimit audiovizual, e gjithë hapësira e kinemasë u kthye e gjitha në një skenë mes lojës së dritave dhe instalacioneve tingullore ndërsa Kurokawa nisi të performonte.
Praktika artistike e Kurokawa ndërthur elemente vizuale të përpunuara digjitalisht, perceptime ambigue të çfarë konsiderohen hapësira emocionale, loja mes tingullit dhe dritës për të krijuar një eksperiencë jo vetëm emocionale por duke shënjuar dhe një përjetim fizik. Përplasja e kahershme mes natyrës dhe kulturës e shënjojnë punën e tij, pasi në punime zhvillohen elemente të botës natyrore me atë çka njerëzit vetë krijojnë.
E gjithë sfera e kuptimeve që mbivendosen mbi vendet në të cilat jetojmë, në perceptimin e Kurokawa kthehen në hapësira dhe ndërtesa forma e të cilave është e zhbërë në nivel atomi, duke patur idenë se e gjithë natyra dhe çfarë na ndërton është një akumulim molekular që qëndron bashkë, e megjithatë sërish në nivel nanoskopik, këto entitete që na formësojnë mbajnë një distancë nga njëra-tjetra.
Lidhja e njeriut me natyrën është njëra prej temave që përkufizon punën e Kurokawas, e dje ndoqëm një përshkrim digjital të marrëdhënies gati simbiotike të asaj çfarë ndërtojmë me duart tona, e të asaj çfarë natyra gjithmonë ripërtërin. Nën ritmet e drithëta të dritave neonike, pylli kapërthen shtëpinë, jeton në një marrëdhënie simbiotike me të duke ia banuar hapësirat që ndryshojnë në kohë ndërkohë dritat pulsojnë njëjtë me ritmet muzikore që herë ishin (ose • përngjanin) si rrahje zemre, herë si vrap në një pyll plot me gjethe, e herë si një zë i përbrendshëm dhe intim në mendjen e një njeriu.
Perfomanca ishte komplekse pasi audienca ishte gjithashtu element i kësaj performance, pasi efekti primar gati primordial i dritave dhe tingullit janë ato që ndërtojnë sjelljen e njerëzve në rrethana ku ndihet krejt i zhveshur nga mjetet rrethanore, e është vetëm trupi dhe mendja çfarë mundet të kontrollojë.
Kurosawa na bëri të reflektojmë dhe të shijojmë një performancë të jashtëzakonshme teksa zuri fill DokuNights dhe audienca u drejtuar në Andrra Stage ku na prisnin Willikens dhe Ivkovic, dyshja e muzikës elektronike që krijon mes të ndërtuarit tinguj që i përngjajnë udhëtimeve muzikore filmike.
Stili i tyre muzikor ndërthur muzikën groove me ritme qetësuese duke bërë vend për ëndrra në muzikën e tyre, e ku më mirë se sa në Andrra Stage.
Rezidentët në Salon des Amateurs, gjithmonë mendojnë ta zgjerojnë hapësirën e lirisë në muzikë duke ndërthurur zhanre të ndryshme muzikore, e duke reflektuar e përpunuar mbi idenë se si njerëzit dëgjojnë dhe e shijojnë muzikën. Njejtë si praktika e tyre e të ndërlidhurit telepatikisht për të luajtur muzikë, e riformëson krijimtarinë e tyre duke lënë vend për surpriza dhe emocione të papritura.
DokuNights vijon edhe sot dhe ju presim për të kërcyer së bashku dhe për të parë perfomancat e Lyra Pamuk dhe Space Afrika prej orës 22:00.
Nga: Blerina Kanxha
Fotografia: Elmedina Arapi