09/08/2023

Në Kinemanë Lumbardhi Bahçe u shfaq mbrëmë premiera e veprës “117 Resounded”. Në këtë shfaqje speciale u shikua rishtas dokumentari ant(hrop)ologjik i Besim Sahatçiut me një kolonë muzikore të kompozuar dhe interpretuar live nga Ansambli Eksperimental Lumbardhi, i drejtuar nga Ilir Bajri.

Pavarësisht motit të ftohtë të mbrëmjes në këtë gosti audio dhe vizuale u ngrohën zemrat e të pranishmëve. Vlerësimi për shfaqjen dhe muzikantët u shfaq me një ovacion të gjatë.

Atmosfera e krijuar në këtë ambient ishte magjike pasi Ansambli Eksperimental Lumbardhi nën drejtimin e pianistit dhe kompozitorit Ilir Bajri i çoi të gjithë në një udhëtim dekada më parë për të takuar vizualisht një familje tradicionale kosovare, në mjedisin e tyre të jetesës. 

I xhiruar në fshatin kosovar të Nivokazit, dokumentari përshkruan stilin e jetesës tradicionale të një familjeje shqiptare që numëron 117 anëtarë, të cilët që të gjithë jetojnë nën një çati dhe në harmoni të madhe. I përshëndetur nga kritika si “portreti shpirtëror i kombit”, ai shënoi një pikë kthese në kinemanë dokumentare kosovare duke futur vlera të larta estetike të papara më parë në historinë e filmit të Kosovës. 

Fituesi i Çmimit të Madh në Festivalin e Filmit Dokumentar dhe të Filmit të Shkurtër të Beogradit më 1978, ky është një nga shembujt më të mirë të filmit etnografik nga ky rajon dhe sigurisht dokumentari më i mirë etnografik që ka ardhur nga Kosova për një kohë të gjatë.

Kjo shfaqje speciale pasoi një punëtori shtatëditore të Ansamblit Eksperimental të Lumbardhit, ku muzikantë të udhëhequr nga Ilir Bajri kompozuan dhe prodhuan një kolonë zanore për dokumentarin e shkurtër të Besim Sahatçiut "117" i publikuar në vitin 1976.

Kjo ishte një gosti e vërtetë për sytë dhe veshët duke u zhytur në një pjesë të vogël të historisë së Kosovës.

Fotografia: Kushtrim Haxha