Nën moderimin e Pamela Cohn, Orwa Nyrabia (IDFA), Cíntia Gil (Sheffield Doc/Fest), Veton Nurkollari (DokuFest), Shane Smith (Hot Docs) dhe Emilie Bujès (Visions du Réel) diskutojnë për sfidat dhe mundësitë e zhvendosjes së festivaleve në një sferë virtuale.

Festivalet e filmit nuk kanë të bëjnë vetëm me publicitet, qilim të kuq dhe shpërblime, ato kanë të bëjnë edhe me ndërveprimin në mes të njerëzve dhe atmosferën e mrekullueshme.

DokuFest me vite ka sjellë momente të veçanta në një atmosferë unike ku i tërë qyteti kthehej në një tonalitet festiv dhe ku kinofilët kishin mundësinë të takoheshin qoftë brenda apo jashtë kinemasë, në një numër lokacionesh të festivalit dhe në një numër ndejash dhe mbledhish të vona në bar. Kjo fatkeqësisht nuk është e mundur për shkak të situatës me pandeminë globale që befas prishi qarkun tradicional të festivalit dhe e transformoi mënyrën që ne shikojmë dhe konsumojmë filmat.

Dhe tani, biseda e ditës po shkon online! Pra, cilat janë sfidat e migrimit në sferën virtuale? A barazohet përfitimi i shtimit të një audience më të madhe me humbjen e shijes dhe atmosferës që festivalet fizike sjellin dhe përfaqësojnë? A është kjo e përkohshme apo do të qëndrojmë aty për më shumë se një herë? Çka kemi mësuar deri më tani dhe si do ndikojë kjo në të ardhmen e festivaleve të filmit?

Programerët e festivalit flasin për sfidat dhe mundësitë me situatën e re.

Orwa Nyrabia është Drejtor Artistik i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar në Amsterdam. Ai ka lindur në Siri ku ka punuar si aktor dhe gazetar, para se të fillojë kompaninë e parë të produksionit në vend të specializuar për dokumentar , më 2002, bashkë me partneren e tij Diana el Jeiroudi. Më vonë më 2008, Nyrabia dhe El Jeiroudi bashkë themeluan festivalin e pavarur për filma dokumentar DOX BOX, i cili shpejt u bë festivali kryesor për filma dokumentar në regjionin arab. Nyrabia u shpërngul në Egjipt më 2012, pastaj në Gjermani më 2013, ku vazhdoi me produksionin e bashkë- produksioneve ndërkombëtare fitues të çmimeve siç janë Dolls, A Woman from Damascus (IDFA 2007), Return to Homs (IDFA 2013 dhe Sundance 2014) dhe Silvered Water (Kanë 2014). Nyrabia mbikëqyri shumë prej filmbërësve nga e gjithë bota dhe shërbeu si anëtar jurie për disa prej fondeve dhe festivaleve të filmit më me ndikim në botë. Ai është anëtar i AMPAS, IDA, EDN. Filmat e tij kanë fituar një listë të gjatë shpërblimesh duke përfshirë Çmimin e Madh të Jurisë së Sundance dhe Çmimin Grierson dhe veprat e tij kanë fituar tituj siç janë George Polk Award, the Nestor Almendros Award dhe the Katrin Cartlidge Award.

E lindur në Portugali, Cíntia Gil ka ndjekur Escola Superior de Teatro e Cinema (Shkolla për Teatër dhe Film në Lisbonë) dhe është diplomuar për Filozofi në Faculdade de Letras da Universidade do Porto (Fakulteti i Arteve dhe Humaniteteve në Universitetin e Portos). Cíntia është drejtoreshë në festivalin e Sheffield Doc/Fest prej nëntorit 2019. Prej 2012-2019, Gil ka shërbyer si bashkë-regjisore e Doclisboa, festivali më i rëndësishëm i filmit dhe më i përhapur në Portugali. Gil ka kuruar një mori serish filmike bashkëkohore dhe historike, retrospektiva, dhe ekspozita. Ajo ka qenë anëtare e bordit ekzekutiv të Apordoc – Associação pelo Documentário, asociacioni portugez i filmave dokumentarë, që prej vitit 2015. Tekstet e Gil janë shfaqur në një numër publikimesh filozofike dhe artistike dhe po ashtu është mysafire e rregullt e paneleve për diskutim, konferencave, dhe në juri të festivaleve ndërkombëtare si Berlinale, Mar del Plata, dhe FID Marseille në mes tjerash.

Veton Nurkollari është Drejtor Artistik i DokuFest, ngjarjes më të madhe kulturore në Kosovë dhe një nga festivalet e filmit të shkurtër dhe dokumentar më të rëndësishëm në Evropën Jug-Lindore, të cilin më 2002 e ka bashkë themeluar më me një grup shokësh. Ai është edhe njëri prej kuratorëve të DokuPhoto, një ekspozitë vjetore e fotografisë dokumentare që vijon përgjatë festivalit të filmit. Vetoni është anëtar i komitetit përzgjedhës të dokumentarëve për Akademinë Evropiane të Filmit si dhe i komitetit përzgjedhës të Cinema Eye Honors, një organizatë me bazë në Nju Jork e cila njeh dhe nderon zejen shembullore në filmbërjen jo artistike dhe po ashtu është një nga anëtarët themelues të bordit të Projektit të Kinemasë Shqiptare, një iniciativë për të sjellë vetëdijesim, vëmendje dhe asistencë për Arkivin Kombëtar i Filmit Shqiptar.

Vetoni kuron rregullisht programe filmike dhe është anëtar jurie në festivale të ndryshme të filmit dhe aktualisht është i përfshirë në trajnimin dhe mentorimin e filmbërësve të rinj nga Kosova në kuadër të projekteve “Future is Here” dhe “Heritage Space”. Veton Nurkollari është anëtar i Akademisë Evropiane të Filmit dhe Parlamentit Kulturor Evropian.

Shane Smith është Drejtor i Programimit në Hot Docs, Festivali dhe Tregu më i madh për filma dokumentar në Amerikën Veriore. Para kësaj Smith ka punuar në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Toronto si drejtor i Projekteve Speciale, dhe drejtor i Programeve Publike. Para asaj ai ka qenë Producent Ekzekutiv në TIFF, In-Flight Entertainment në Spafax, Drejtor i Programimit në Channel Zero Inc, Drejtor CFC Worldwide Short Film Festival, Programer për Filma të Shkurtër në Sundance Film Festival, Programer për Inside Out LGBT Film Festival. Smith ka marrë pjesë në juri dhe panele në festivale dhe ngjarje në mbarë botën.

Emilie Bujès është drejtoreshë artistike e Visions du Réel, International Film Festival (Nyon, Zvicër) që prej vitit 2017, dhe është këshilltare programi për Cannes Directors’ Fortnight, si dhe eksperte për Swiss fund visions sud est. Ajo ka qenë zëvendës drejtore artistike e Festivalit Ndërkombëtar të Filmit La Roche-sur-Yon dhe anëtare e komisionit ‘Image/mouvement’ e CNAP (Qendra Kombëtare Franceze e Arteve Pamore). Para kësaj, ajo ishte kuratore në Geneva Contemporary Art Center dhe ka kontribuuar në programe të festivaleve të filmave dhe institucioneve të artit siç është Forum Expanded–Berlinale, the Contemporary Art Centre Vilnius, the Lausanne Underground Film and Music Festival, the Transmediale (Berlin), apo hapësira e udhëhequr nga artist/kurator Forde (Gjenevë). Ajo ka ligjëruar në Shkollën e Artit dhe Dizajnit të Gjenevës dhe në Universitetin e Artit në Bern, dhe ka marrë çmimin Zviceran të Artit për kurator më 2014.

Pamela Cohn është kuratore e lirë e filmit, shkrimtare, dhe konsulente dhe dramaturge e tregimeve jo-artistike për regjisorët e filmave dokumentar dhe artistët e filmave. Ajo është autore e Lucid Dreaming: Conversations with 29 Filmmakers (OR Books New York & London 2020) dhe shkruan e moderon The Lucid Dreaming Podcast, të krijuar bashkë me producentin Luke W Moody në LONO Studio, Londër. Ajo punon si nikoqire dhe moderatore për bashkëbisedime dhe panele me filmbërësit në një mori festivalesh ndërkombëtare duke përfshirë True/False Film Fest, Sheffield Doc/Fest, DokuFest, Open City, dhe festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar në Amsterdam.