07/08/2022

Shkëmbimi i eksperiencave dhe rritja e mundësive për të përfituar njohuri të vlefshme janë dy aspekte tejet të rëndësishme të DokuFest. Përmes klasave ndjekësit e festivalit kanë mundësinë të zhvillojnë edhe më tej njohuritë e tyre në fusha të njohura dhe të panjohura për ta, nga mësimdhënës figura dhe personazhe tejet të njohur. 
I tillë ishe masterclass-i që u mbajt mesditën e kësaj të diele në hapësirën e “KinoKlubi” në të cilën fotoreporteri i mirënjohur Paul Lowe mbajti një ligjëratë duke marrë në referencë ciklin e tij të fotografive të titulluar “Siege of Sarajevo”. Një mori imazhesh rrëqethëse bardhezi të shkrepura para dhe pas luftës që dokumentojnë ngjarjet e atjeshme. 
“E ndjej veten të privilegjuar që kam patur mundësinë të dokumentoj momente historike. Nuk e kisha planifikuar të bëhesha fotoreporter lufte, por ndodhi”, u shpreh Lowe në hyrje të masterclass- it. 
Që nga radhët e gjata të njerëzve që prisnin për ujë, ushqim dhe elemente të tjerë jetike për ta, tek imazhet e kapura gjatë bombardimeve, të të vdekurve dhe të lënduarve nëpër spitale, tek mbrojtja e familjeve, përditshmëria e të tjerave e deri te rezistenca përmes artit. Të gjithë këto imazhe qëndrojnë sot të fokusuara nga objektivi i Lowe që shkoi dhe qëndroi aty duke i treguar botës çfarë ndodh. 
“Si një fotoreporter është e pamundur të mos e kem kapur veten duke menduar se një lajm i keq është një lajm i mirë. Se një lajm i keq për disa njerëz është një lajm i mirë për një fotoreporter”, tregoi ai.  
Sipas Lowe detyra e një reporteri është të dokumentojë, gjatë kohës që diçka ndodh në një rast, por ndjekë edhe zhvillimin e mëvonshëm të atij rasti. 
Lidhur me debatin e madh të reporterëve në botë, të cilët vihen përpara dilemës nëse në një ngjarje duhet të ndihmojnë viktimat apo të dokumentojnë ndodhinë Lowe ndau qëndrimin e tij. 
“Natyrisht kjo çështje është tejet komplekse dhe nuk mund të ketë një përgjigje të qartë. Nëse je në një ngjarje ku ka të lënduar dhe ti ke një makinë pranë, natyrisht që detyra njerëzore të fton t’i evakuosh të lënduarit drejt makinës për të marrë më pas ndihmë më të specializuar, ama detyra jote profesionale të fton gjithmonë të dokumentosh ngjarjen. Në fund të ditës ti nuk je personi i specializuar për të dhënë ndihmën. Ka patur raste në të cilat dhënia e kësaj ndihme nga persona jo të specializuar në vend që t’i shpëtojë i ka vrarë të lënduarit.”
Në fund të masterclass- it fotoreporteri Paul Lowe mori kohë për t’iu përgjigjur të gjithë pyetjeve që patën të pranishmit për të shuar kështu interesin e tyre lidhur me këtë profesion sa misterioz, të rrezikshëm, por të nevojshëm për gjithsecilin prej nesh që mund të mësojë nga sytë e tij atë që nuk mund ta shohë vetë në kohë reale.

Nga Ana Haxhimali

Fotografia: Gerd Waliszewski