07/08/2021

Fytyrat e buzëqeshura të adoleshentëve, me bluzat e verdha, janë rikthyer në lokacionet e shumta të DokuFestit. Vitin e kaluar, gjallëria që sjellin zakonisht vullnetarët kishte munguar, pasi festivali ishte realizuar në platformën online, shkaku i masave kufizuese si rrjedhojë e pandemisë. Sivjet afër 100 vullnetarë që ndryshe njihen edhe si “bletat punëtore” do të asistojnë në mbarëvajtjen e aktiviteteve brenda festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër. Paralelisht do të përkujdesen që mysafirët e festivalit të ndjehen sikur në shtëpi, duke ju ofruar asistencë për orientim nëpër Prizren.

Drejtoresha ekzekutive e DokuFestit, Linda Llulla-Gashi shprehet e kënaqur që edicioni jubilar i 20-të i festivalit po realizohet me praninë e vullnetarëve, pasi sipas saj ata janë njëra prej shtyllave të rëndësishme, por edhe hareja e këtij organizimi kulturor.

“Vullnetarët janë shtylla e festivalit, janë shyhreti i qytetit. Prej tyre më së shumti kërkohet që të buzëqeshin, të kënaqen me shoqërinë e njëri-tjetrit, të fitojnë përvoja të reja dhe patjetër që të kontribuojnë në organizimin dhe mbarëvajtjen e festivalit. Pa ndihmën e tyre të pamohueshme, ne nuk do të ishim në gjendje me i realizua aktivitet tona gjatë 9 ditëve të festivalit”, thotë Llulla-Gashi.

Ajo shpreh keqardhjen që për arsye objektive, sivjet është dashur që të pranohen më pak vullnetarë në krahasim me edicionet e zakonshme.

“Duke marrë parasysh se këtë vit nuk kemi DokuNights e kemi zvogëluar numrin prej 150 në 100 vullnetarë. Natyrisht interesimi ka qenë i madh, sidomos nga qytetet tjera të Kosovës, por edhe prej jashtë vendit. Sivjet, nuk patëm mundësi që ti ftojmë të gjithë ata që kanë aplikuar, por shpresoj që vitin tjetër do t’ju ofrohet mundësia edhe atyre”, deklaron drejtoresha e DokuFestit.

Sipas saj koncepti i vullnetarizmit është mjaft i theksuar brenda DokuFestit pasi në këtë mënyrë edhe ka lindur festivali, 20 vjet më parë.

“E tërë ideja e këtij festivali ka qenë vullnetarizmi. Para 20 vitesh, kur është mbajtur edicioni i parë i DokuFest-it të gjithë ata që kanë qenë të angazhuar në organizim kanë punuar vullnetarisht. Pra, i gjithë stafi i DokuFestit dikur kanë qenë vullnetarë dhe tani janë në pozita udhëheqëse në organizatë. Kjo ka vazhduar me vite dhe është bërë traditë, sepse vetë koncepti i festivalit është vullnetarizmi dhe promovimi i punës vullnetare”, thekson Llulla-Gashi. Ky promovim i punës vullnetare brenda festivalit sipas saj përgjatë 20 viteve të shkuara ka ndikuar edhe në aftësimin e gjeneratave të reja për shkathtësi të ndryshme.

“Duke punuar si vullnetarë, të rinjtë fitojnë shkathtësi në punë të ndryshme, në punë specifike të cilat kërkohen në festivale. Ne, në këtë mënyrë i trajnojmë dhe i përgatisim për tregun e punës në profile të ndryshme e sidomos në profile që janë të mangëta në Kosovë, si për shembull: projeksionistët, titrim, organizim të eventeve, etj”, thotë drejtoresha ekzekutive e DokuFestit.