08/08/2020

Sërish erdhi koha për tu bërë bashkë në DokuFest. Por kësaj here në distancë. Ky është dallimi i vetëm i edicionit XIX të DokuFestit, në krahasim me vitet e kaluara, ngase festivali ndonëse në platformën online përsëri sjellë filma, performansa muzikore, punëtori, debate e aktivitete tjera.

Pikërisht kalimi nga forma e rëndomtë e organizimit të festivalit në hapësirën virtuale ka bërë që tema e këtij viti të jetë TRANSMISIONI.

“Pamundësia për ta organizuar festivalin në formën e rëndomtë të tij ka ndikuar edhe në përzgjedhjen e temës çfarë është TRANSMISIONI me dy nëntema të saj, e që janë TRANZICIONI dhe TRANSFORMIMI, si dhe në formën se si ato do të mund të shtjellohen. Shkaku se transmetimi i gjithë programit të festivalit do të ndodhë në sferën virtuale ishte shtytja e parë në përzgjedhjen e temës, përderisa tranzicioni në të cilën ndodhet shoqëria jonë dhe ajo globale detyrimisht është duke shpier në një transformim, vizurat e të cilës ende duken të paqarta”, thotë Veton Nurkollari, drejtor artistik në DokuFest.

Ai sqaron se ky është vetëm një lexim i thjeshtëzuar i këtyre nocioneve dhe se çdokush mund dhe duhet ti interpretoj ato ashtu si të dëshirojë.

“Një numër i filmave në program, si dhe debatet të cilat do të organizohen në kuadër të festivalit do të adresojnë deri diku këto tema, shpresojmë”, shton ai.

Sikurse programi i filmave ashtu edhe aktivitetet tjera janë përgatitur me shumë dashuri nga ekipi i dedikuar i DokuFestit, që përkundër zhvillimeve tejet të paqarta brenda këtij viti, nuk ka hequr dorë nga ideja e takimit dhe ndërveprimit me audiencën. Prandaj duke filluar nga 7 gushti deri me 25 gusht do të jemi bashkë, megjithëse në distancë.

Ju ftojmë që ta shijoni edicionin e sivjetmë të DokuFestit në platformën tonë online.

Rikujtojmë që për ta sjellë festivalin online, kemi bashkëpunuar me Festival Scope dhe Shift72 në mënyrë që të garantojmë përvojën më të mirë të transmetimit online si dhe të sigurojmë që programi ynë të jetë i qasshëm për audiencën lokale dhe regjionale.