07/08/2021

Punëtoria e Ron Haviv dhe Paul Lowe mbi fotografinë dhe dokumentimin, nisi të premten. Në ligjërimin e tij Ron Haviv, reflekton mbi atë se si fotografia mund të ndryshojë rrjedhën e historisë.

DokuFest, nisi ditën e parë të eventeve me një punëtori mbi praktikat e fotografisë dokumentare, historinë, foto-reportimin dhe etikën. Ron Haviv, një ndër fotografët më të njohur në botë, punët e të cilit reflektojnë mbi të drejtat e njerëzve dhe konfliktin bashkë me Paul Lowe, një tjetër foto-reporter, puna e të cilit është influencuese dhe e rëndësishme në dëshmimin e konflikteve në Bosnje janë në Prizren, në DokuFest, duke drejtuar këto punëtori.

Ron Haviv paraqiti sot punët e realizuara gjatë karrierës së tij që zgjojnë pyetje mbi fotografinë, dëshmimin dhe raportin me të vërtetën. Karriera e tij mes raportimit dhe dëshmimit të krimeve të luftës në Ballkan, dhunën dhe humbjen njerëzore, është në shërbim të atyre që jetuan gjatë kësaj periudhe konfliktuale e të dhimbshme e gjithashtu në shërbim të së vërtetës e drejtësisë.

Puna e tij gozhdon dëshpërimin, frikën dhe humbjen. Një ndër projektet e tij që u prezantua në këtë ligjërim titullohej ‘Biografia e një fotoje’ që vë në dritë dy prej punimeve të tij më ikonike: një foto e shkrepur në Panama e një burri të mbuluar në gjak dhe fotoja tjetër e një ushtari e shkrepur pak para momentit teksa është gati të gjuajë mbi trupat e vdekur të njerëzve në rrugë. Tanimë këto foto, ashtu sikurse u shpreh edhe Haviv, kanë dalë jashtë kontrollit të tij, duke u bërë pronë e kujtdo që i sheh.

Duke paraqitur një seri dokumentimesh fotografike të disa prej konflikteve më shenjuese në botë, Haviv përkap rëndësinë e të paturit dëshmitarë okularë, të cilët mund t’i tregojnë botës se çfarë realisht ndodh në një vend konflikti. Gjithashtu ky raportim vizual është i rëndësishëm për ata që nuk janë në kohë reale në vendin e ngjarjes.

Një tjetër prej prezantimeve të Haviv, më ndryshe prej atyre fotografike, ishte gjithashtu dhe reagimi ndaj punës së tij në një ekspozitë në Serbi e cila nxiti shpërthimin e një prej reagimeve më kokëforta nacionaliste ndaj fotografive qe reflektonin luftën në Bosnje.

Duke shkuar pas në kohë, Haviv kujton se çfarë u mësohej mes librave të historisë mbi reagimin e fuqive politike perëndimore mbi Holokaustin. Mosreagimi i këtyre fuqive lindi nga mosdija e se çfarë po ndodhte në Europën Qendrore.

‘’Askush nuk duhet të thotë më se nuk e dinë çfarë ka ndodhur. Fotografia e ka një arsye dhe një qëllim dhe është aty për t’ia mveshur përgjegjësinë njerëzve që i kanë kryer këto akte’’, tha Haviv.

Linja e hollë mes etikës dhe fotografisë në kohë krize është një dilemë që Haviv i përgjigjet thjeshtësisht: ‘’Nëse nuk mund të bëj diçka për të shpëtuar një jetë atëherë më duhet të veproj në mënyrë që ta dokumentoj këtë padrejtësi.’’

 

Haviv dhe Lowe vazhdojnë punëtorinë e tyre mbi fotografinë dhe fotoreportimin të shtunën e gjithashtu mund të ndiqni ligjërimin e Paul Lowe mbi fotografinë dhe historinë.