15/08/2020

Një javë pas hapjes zyrtare të DokuFest, Sonic Transmissions bëri që e premtja dhe Sonic Transmissions/Virtual DokuNights t’i qëndrojnë besnikë reputacionit të krijuar. Në bashkëpunim me Rave Travel, agjensia kosovare e organizimit të ngjarjeve muzikore, si dhe me Ambasadën e Austrisë në Prishtinë, Steve Michael, Max Kernmayer dhe Drenique ishin aktet që performuan live më 14 gusht.

Pas turit në klubet e Vjenës duke shpërndarë tingujt e tij të veçantë pumpin’ tech-house, Max Kernmayer e gjeti veten duke luajtur përkrah Steve Michael, një tjetër artist austriak i pasionuar kryesisht pas muzikës house, gjatë performancës një orëshe të gjatë. Që në minutat e para, duo-ja u zhyt në botën e ritmit dhe muzikës duke u siguruar menjëherë që të tërhiqte me vete të gjithë shikuesit nga ana tjetër e ekranit. Edhe pse në distancë me audiencën, të dy artistët që performuan bashkarisht krijuan një hapësirë të përshtatshme për t’a ndarë me çdokënd, duke pirë birra dhe duke bërë tinguj të mirë, pra duke dhënë shembullin e asaj që duhet të jetë një e premte e vërtetë.

Më pas, artisti me origjinë nga Kosova dhe banues momentalisht në Vjenë i njohur kryesisht me emrin e skenës DRENIQUE zgjati shfaqjen e dyshes edhe për një orë tjetër për kënaqësinë e të gjithëve. Performancat e treshes së talentuar të mbajtura në të njëjtën “skenë” siç arrihet të kuptohet nga sfondi i njëjtë, i lejojnë shikuesit të imagjinojë vetën në zotërim të një bilete në rresht të parë, duke i vënë në dispozicion një pamje mjaft të këndshme të energjisë dhe lëvizjeve të kërcimit të artistëve, të cilët arrijnë të transmetojnë në ekran çdo gjë në mënyrë të përkryer.

Nëse aksidentalisht keni humbur performancat në fjalë, Sonic Transmissions të Steve Michael x Max Kernmayer x Drenique janë në dispozicion për të interesuarit online. Të gjitha shfaqjet muzikore të ardhshme do të transmetohen drejtpërdrejt dhe falas në platformën e DokuFest.

Nga Enxhi Noni