09/08/2020

Artisja kosovare Rinesa Qeriqi hapi zyrtarisht Sonic Transmissions, që përmbledh performancat muzikore të edicionit të 19-të të DokuFest, të quajtura ndryshe nga publiku dhe si DokuNights Virtuale. Prej vitesh me një program të pasur që sjell artistë vendas dhe ndërkombëtarë në një skenë të përbashkët, DokuNights do të transmetohen online si Sonic Transmissions për t’iu përshtatur formatit online të edicionit të sivjetshëm. Performanca në fjalë, e mbajtur të shtunën, me 8 gusht, duket të jetë një ndër të parat në karrierën e artistes së re, duke iu përshtatur kështu motivimit të DokuFest për të ushqyer sa më shumë vizibilitetin e artistëve lokale e të talentuar.

Rinesa, e cila prezantohet me emrin e skenës Rinesance, ndau me audiencën 12 këngë të reja e të padëgjuara më parë, pjesë e EP-së saj më të fundit në publikim e sipër. Përgjatë 45 minutash, artistja e re arriti të krijonte një atmosferë dinamike të ngjashme me DokuNights, pavarësisht distancës mes saj dhe publikut. Me një shkujdesje në veshje, në buzëqeshje dhe në qëndrim, e vendosur përpara një sfondi të mbizotëruar nga imazhi i një dielli duke lindur e zhytur në ngjyra neon pink, e reja nga Prishtina gërshetoi këngët e saj me përjetimin e ndjesive gjatë procesit krijues dhe falënderime për personat mbështetës.

Megjithëse emri i skenës mund të shihet si një referencë e rilindjes individuale që solli rrugëtimi i muzikës, artistja e pavarur kosovare sjell mbi të gjitha një frymë të re artistike. Portreti i saj përafrohet me imazhin që jemi mësuar të shohim të një artisti “self-made”, megjithëse Rinesa dallon prej një freskie dhe çiltërsie që është e rrallë në fushën e saj. Përveç karakterit të spikatur, duket

qartë që artistja është në një kërkim të vazhdueshëm të tingujve muzikorë të ndryshëm, si mënyrë për t’iu shmangur kufizimeve kreative me anë të eksperimentimit. Në këmbimet me publikun virtual, ajo shprehet se e vlerëson artin e saj mbi të gjitha për mundësinë që i jep për të shprehur vetveten, si dhe për të çliruar të gjithë energjitë negative që na shoqërojnë në përditshmëri.

Rinesance mbylli performancën e saj duke shprehur dëshirën për t’u riparë vitin tjetër, si mundësi “me u përqafë”, dhe gjer atëherë ajo uron për të gjithë të qëndrojnë të sigurt dhe në shëndet të mirë.

Për të mos humbur eventet muzikore të radhës të ofruara nga Sonic Transmissions, mjafton që të rehatoheni në shtëpi dhe të shijoni nga ekrani të gjitha performancat që transmetohen në mënyrë direkte dhe kohë reale nga platforma online e DokuFest.

Nga Enxhi Noni