20/08/2020

Banka ProCredit edhe sivjet ka vazhduar traditën e mbështetjes së DokuFestit, si sponzor gjeneral. Ky bashkëpunim kishte filluar 16 vjet më parë me synimin për fuqizimin e skenës kulturore dhe rritjen ekonomike në Kosovë. Drejtoresha Gjenerale e ProCredit Bank në Kosovë, Eriola Bibolli ka theksuar se ky bashkëpunim nuk është thjeshtë një mbështetje komerciale, por një partneritet afatgjatë mes kësaj banke dhe DokuFestit.

DS: Çfarë e ka motivuar Bankën ProCredit si sponsor gjeneral, që edhe sivjet ta mbështesë edicionin online të DokuFest?

Bibolli: Nga vet fakti që Banka ProCredit mbështet festivalin tuaj tash më qe 16 vite, tregon se bashkëpunimi ynë nuk është një mbështetje komerciale por një partneritet afatgjatë. Banka ProCredit ka dëshmuar tash 20 vite se përveç afarizmit të saj bankar, ka pasur një rol të rëndësishëm në zhvillimin e vendit si në aspektin ekonomik ashtu edhe në atë kulturor. Andaj edhe në këtë vit jo të lehtë për të gjithë, mbështetja e klientëve dhe bashkëpunëtorëve tanë, ka qenë prioritet për ne.

DS: A ishte i vështirë ky vendim, marrë parasysh faktin që festivali është bartur në sferën digjitale?

Bibolli: ProCredit është lider në fushën e digjitalizimit të shërbimeve të saj në tregun e Kosovës. Andaj ne përqafojmë secilin që ndjek rrugën tonë, duke pas parasysh se kjo është e ardhmja, sidomos tani në kohë pandemie është e domosdoshme për të gjithë ne që duam të jemi afër klientëve tanë dhe t’ua lehtësojmë përditshmërinë, dhe të ju ofrojmë siguri.

Andaj jo, ishte fare e lehtë që edhe ndjekësve të festivalit të ju ofrojmë po atë që u ofrojmë edhe klientëve tanë, kënaqësinë e shikimit të filmave nga rahatia e shtëpisë dhe mbi të gjitha sigurinë duke mos kërcënuar shëndetin.

DS: Pse është e rëndësishme përkrahja për skenën e pavarur kulturore në kohë pandemie?

Bibolli: Efektin që ka pasur pandemia në të gjitha sferat jetësore është shumë i madh, andaj secili nga ne duhet të jep kontributin e vet në mënyrë që kjo situatë të tejkalohet sa më lehtë. Në këtë aspekt mbështetja e skenës së pavarur kulturore është tejet e rëndësishme sidomos duke pas parasysh edhe efektin e saj mbi shëndetin social dhe mendor te njerëzit, duke mos anashkaluar edhe ndihmën ekonomike që ju duhet për të mbijetuar këtë krizë globale.

DS: Si e vlerësoni bashkëpunimin 16 vjeçar me DokuFest?

Bibolli: DokuFest është një ndër ngjarjet më të rëndësishme kulturore të vendit, dhe një ndër përfaqësuesit më të mëdhenj të kulturës kosovare në Europë, andaj ne besojmë fuqishëm që një bashkëpunim i tillë i institucioneve si në këtë rast është i domosdoshëm dhe me një rëndësi të madhe duke pasur parasysh misionin e përbashkët; Fuqizimin e skenës kulturore dhe rritjen ekonomike të vendit tonë.